Lidhje

Departamenti i shtetit: është përgjegjësi e Koresë së Veriut që të eliminojë armët e saj bërthamore - 2002-12-24


Administrata e presidentit Bush ka ndërmarrë një fushatë të gjërë kontaktesh diplomatike lidhur me krizën e fundit bërthamore me Korenë e Veriut. Zyrtarë amerikanë thonë se duan një zgjidhje paqësore të situatës, por theksojnë se nuk do t’i ofrojnë Koresë së Veriut stimuj që të anullojë vendimin e saj për të rihapur kompleksin e reaktorit bërthamor në Yongbyon.

Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, është vënë në krye të përpjekjeve diplomatike, duke zhvilluar biseda telefonike me homologët e tij nga Koreja e Jugut, Kina, Japonia, Rusia, Britania dhe Franca.

Administrata e presidentit Bush shpreson ta shtojë trysninë mbi Korenë e Veriut, që ta përmbysë vendimin e saj, për të hequr vulat dhe pajisjet vëzhguese të OKB-së nga kompleksi i reaktorit në Yongbyon, të cilin ajo pati rënë dakord ta mbyllte në bazë të një marrëveshjeje të arritur me Shtetet e Bashkuara në vitin 1994.

Shtetet e Bashkuara kërkojnë që Pheniani të rifillojë pa kushte bisedimet me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike dhe të rivendosë masat e sigurimit në kompleksin e reaktorit. Por Koreja e Veriut ritheksoi dje përmes mjeteve të saj zyrtare të informimit, se e vetmja rrugë për të zgjidhur situatën do të ishte që Shtetet e Bashkuara të nënshkruanin një pakt mossulmimi me të.

Në takimin me reporterë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Filip Rijkër, tha se për këtë qendrim të Koresë së Veriut, nuk duhet të ketë ndonjë shpërblim, diplomatik apo të ndonjë lloji tjetër.

“Është përgjegjësi e Koresë së Veriut që para së gjithash të eliminojë në mënyrë të verifikueshme programin e saj të armëve bërthamore dhe sa më parë që të jetë e mundur të përqendrohet në bisedimet me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike për rivendosjen e vulave, kamerave dhe masave të tjera të sigurimit, që Koreja e Veriut i ka hequr, theksoi zëdhënësi Rijkër. Ne, shtoi ai, nuk do të lëshojmë pe para shantazheve. Komuniteti ndërkombëtar nuk do të fillojë dialogun, si përgjigje ndaj kërcënimeve apo shkeljes së detyrimeve dhe ne nuk do të bëjmë pazarllëqe, e as nuk do t’i ofrojmë stimuj Koresë së Veriut, që të respektojë traktatet apo marrëveshjet që ka nënshkruar.”

Zoti Reeker tha se Koreja e Veriut është vetë përgjegjëse për izolimin e saj ndërkombëtar dhe ai i cilësoi si krejt absurde pretendimet e Phenjanit, sipas të cilave kriza u shkaktua nga komentet e ashpra të Shteteve të Bashkuara, duke përfshirë edhe faktin që presidenti Bush e përfshiu Korenë e Veriut në listën e vendeve që përbëjnë boshtin e së keqes.

Komente të ngjashme pati bërë më parë edhe Sekretari i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, i cili tha në një takim me reporterë në Pentagon, se shkaku i problemeve të Koresë së Veriut, duke përfshirë edhe krizën e saj të thellë ekonomike, është vetë Koreja e Veriut dhe jo retorika e Shteteve të Bashkuara.

“A mos vallë retorika e Shteteve të Bashkuara po i shtyn ata të vdesin nga uria popullin e tyre, apo të ndërtojnë një central elektrik bërthamor, pyeti Sekretari Rumsfeld. Atyre nuk ka ç’u duhet centrali elektrik bërthamor. Rrjeti i tyre elektrik nuk do ta përballonte dot atë ngarkesë. Po të shikosh nga qielli Gadishullin Korean natën, vuri në dukje zoti Rumsfeld, do të vësh re që Koreja e Jugut është e mbushur me drita, energji, gjallëri dhe një ekonomi të lulëzuar. Kurse Koreja e Veriut është e errët. Ajo që po ndodh në këtë vend është një tragjedi. Dhe pretendimi i tyre se e gjitha kjo është rezultat i retorikës nga jashtë, mendoj se nuk godit në shenjë.”

Zoti Rumsfeld tha se nuk kishte arsye të mendonte që Koreja e Veriut i kreu veprimet e saj të fundit duke u nisur nga ideja se Shtetet e Bashkuara ishin të preokupuara ushtarakisht me Irakun, por shtoi se Pheniani e ka gabim në se ushqen mendime të tilla.

Edhe pse theksoi se administrata ka ndër mend të veprojë me Phenianin në rrugë diplomatike, shefi i Pentagonit tha se Shtetet e Bashkuara do të ishin fare mirë në gjendje të zhvillonin dhe fitonin dy luftëra rajonale në të njëjtën kohë. //ze//

XS
SM
MD
LG