Lidhje

Bashkimi Evropian zgjeron radhët me vende të reja anëtare - 2002-12-18


Pas vënies me sukses në qarkullim të Euros në fillim të vitit 2002, Bashkimi Evropian ndryshoi edhe hartën e tij, për të përfshirë Estoninë, Letoninë, Lituaninë, Poloninë, Republikën Çeke, Sllovakinë, Hungarinë, Slloveninë si dhe vendet mesdhetare, Qipron dhe Maltën. Por zyrtarët evropianë nuk përcaktuan datën e saktë për fillimin e negociatave të pranimit të Turqisë, një vend kandidat prej kohësh, duke thënë se bisedime të tilla do të fillonin kur Turqia të gjykohet se i ka plotësuar kriteret e nevojshme në analizën që do të bëhet në dhjetor 2004.

Zgjerimi i radhëve të Bashkimit Evropian, më i madhi në historinë e tij, do të çojë në kirjimin e një komuniteti prej 450 milionë banorësh nga 25 vende të ndryshme dhe një ekonomi me një vlerë prej më shumë se 9 trilionë dollarësh, afërsisht sa ekonomia amerikane. Bullgaria dhe Rumania pritet të pranohen në radhët e Bashkimit në vitin 2007.

Zgjerimi i radhëve të Bashkimit pason zgjerimin e NATO-s me anëtarë të rinj. Aleanca ftoi Bullgarinë dhe Rumaninë për t’u pranuar në radhët e saj, krahas me tre vendet Balltike, si dhe Sllovakinë dhe Slloveninë. Polonia, Republika Çeke dhe Hungaria, u pranuan në radhët e Aleancës më 1999.

Zgjerimi i Bashkimit Evropian dhe i NATO-s me anëtarë të rinj i rintegron vendet e izoluara për mëse 6 dekada. Kështu i jepet fund ndarjes së kontinentit nga nazizmi, ndarje e cila u forcua më tej nga perdja e hekurt e Stalinit.

Për t’u pranuar në NATO, vendeve të reja u duhej të fuqizonin sistemet demokratike, ta vinin ushtrinë nën varësinë e autoriteteve civile dhe të zgjidhnin me mjete diplomatike grindjet e vjetra nacionaliste. Por, në kushtet kur NATO-ja po e drejton vemendjen në luftën kundër terrorizmit dhe frenimin e shteteve të papërgjegjëshme, vendeve të reja ashtu si homologët e tyre perëndimorë, u duhet të modernizojnë me shpejtësi forcat ushtarake, në mënyrë që të ngushtojnë hendekun me aleatët.

Bashkimi Evropian, në anën tjetër, përballet me sfidën e përshtatjes së institucioneve për sisteminmin e anëtarëve të rinj, shumica prej të cilëve shumë më të varfër se sa mesatarje evropiano-perëndimore.

Për të plotësuar kushtet e pranimit, vendeve të reja iu desh të përqafonin legjislacionin e Bashkimit Evropian. Por, siç thotë analisti Steven Everts, i Qendrës për Reformën Evropiane në Londër, ende ekzistojnë dyshime nëse i kanë apo jo ato aftësitë e nevojshme administrative për zbatimin e ligjeve të Bashkimit Evropian.

"Është e lehtë të miratosh ligje,- thote zoti Everts,- por më e vështirë t’i zbatosh ato. Pra kjo është njëra pikëpyetje. Pikëpyetja e dytë ka të bëjë me nivelin e korrupsionit në Evropën Lindore, që vazhdon të jetë tepër i lartë, më i lartë se sa vendet e Bashkimit Evropian."

Ndërkohë, duket se po ashpërsohet beteja midis vendeve, të cilat dëshirojnë një bashkim sa më të integruar, ku vendimet për taksat, imigracionin dhe politikat e jashtme të merren me shumicë votash dhe vendeve që janë për të drejtën e vetos lidhur me këto vendime.

Një vëzhgues politik me përvojë thotë se shumë nga vendet e reja për t’u anëtarësuar në radhët e Bashkimit sapo kanë hedhur tej zgjedhën sovjetike dhe nuk dëshirojnë të bien tani nën tutelën e Brukselit. Ai mendon se shumica e vendeve të reja anëtare e shohin Bashkimin Evropian si një bashkim vendesh që bashkëpunojnë me njëri tjetrin. Por ka edhe nga ata që mendojnë se, përderisa shumica e anëtarëve të rinj janë vende të vogla, ata do të përkrahnin idenë e një Bashkimi federal, i cili të mbrojë interesin e përbashkët pa lejuar që vendet e mëdha të sillen si të duan.//lk //

XS
SM
MD
LG