Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për të ndihmuar popujt dhe qeveritë e Lindjes së Mesme. Siç tha Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, politika e Shteteve të Bashkuara për Lindjen e Mesme e ka vënë theksin tek lufta kundër terrorizmit, çarmatimi i Irakut dhe dhënia fund e konfliktit arabo-izraelit.
Disa vende të rajonit, mes të cilëve Egjipti, Arabia Saudite dhe Jemeni kanë qenë në shënjestër të terrorizmit. Shumë vende në rajon kanë pranuar t’i lejojnë koalicionit të drejtuar nga Shtetet e Bashkuara që të përdorë bazat e tyre për fushatën ushtarake në Afganistan. Vendet në Lindjen e Mesme kanë shkëmbyer gjithashtu informacion të shërbimeve sekrete dhe organeve të ruajtjes së rendit, kanë arrestuar të dyshuar si terroristë dhe kanë ndërprerë financimet terroriste.
Vendet e Lindjes së Mesme janë bashkuar me vende të tjera për të përballuar rrezikun që paraqet regjimi i Saddam Husseinit në Bagdad. Sekretari i Shtetit, Colin Powell tha se ”duke miratuar njëzëri rezolutën 1441, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara i ka ofruar Irakut një shans të fundit për të zbatuar detyrimet e tij ndaj paqes”.
Shtetet e Bashkuara, siç tha zoti Powell janë ”thellësisht të interesuara dhe të angazhuara që t’i japin fund konfliktit izraelito-palestinez”. Presidenti Bush është shprehur për ekzistencën e një shteti palestinez që të jetojë krah për krah, në paqe me Izraelin. Por kjo paqe, tha zoti Powell ”do të kërkojë një udhëheqje të re dhe të ndryshme të palestinezëve, institucione të reja dhe që t’i jepet fund terrorit dhe dhunës. Ndërsa palestinezët ecin në këtë drejtim, edhe Izraelit do t’i kërkohet të bëjë zgjedhje të vështira, mes të cilave ajo për t’i dhënë fund ndërtimit të vendbanimeve në Bregun Perëndimor”.
Krijimi i një Palestine demokratike është i nevojshëm dhe i mundshëm. Sekretari i Shtetit Powell tha se synimi përfundimtar ”është një marrëveshje arabo-izraelite e drejtë dhe e pranueshme, në të cilën të gjithë popujt e rajonit të pranojnë njëri-tjetrin, si fqinjë, të jetojnë në paqe dhe siguri dhe të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për të gjithë popujt e rajonit. Këto sfida, tha zoti Powell, kanë patur rëndësi të dorës së parë në politikën amerikane mbi Lindjen e Mesme. Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara për të përballuar këto sfida me energji dhe vendosmëri”.