Lidhje

Biblioteka publike e New Yorkut mbush 100 vjet - 2002-12-18


Sistemi më i madh i bibliotekave në Shtetet e Bashkuara, Biblioteka Publike e New Yorkut, mbushi 100 vjet. Trashëgimia e pasur e bibliotekës ka lidhje me industrialistin Andrew Carnegie, filantrop i njohur. Carnegie ishte një imigrant, dhurata e të cilit prej 5 milionë dollarësh çoi në ndërtimin e 65 bibliotekave në qytetin e New Yorkut.

Në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të popullsia e New Yorkut ishte më e madhe se ajo e Parisit dhe ky qytet relativisht i ri po ia kalonte edhe Londrës, që në atë kohë ishte qyteti më i populluar i botës. Guvernatori i atëhershëm i New Yorkut, Samuel Tilden besonte se metropoli që po lulëzonte meritonte një bibliotekë dhe sallë leximi falas dhe kur vdiq në vitin 1886, i la qytetit 2.4 milionë dollarë për ta realizuar një gjë të tillë.

Në mars të vitit 1901, më shumë se një vit para se të vihej guri i themelit i ndërtesës kryesore të bibliotekës, afaristi i madh i çelikut Andrew Carnegie dhuroi 5.2 milionë dollarë për të zgjeruar sistemin e ri me 65 degë. Presidenti i bibliotekës Paul LeClerc thotë se ky gjest ishte i pari i këtij lloji.

”Ai shpenzoi po të llogaritet me vlerën e sotme të parave, mbi një miliardë dollarë duke ngritur biblioteka në rreth 1 400 komunitete në Shtetet e Bashkuara. Kështuqë ne po festojmë jo vetëm 100 vjetorin e kësaj biblioteke, por edhe të njërit prej akteve më të mrekullueshme të filantropisë”, thotë zoti LeClerc.

Carnegie gjatë jetës së tij dha mbi 43 milionë dollarë për rreth 3 mijë biblioteka në gjithë botën, mes të cilave 23 në Zelandën e Re, 13 në Afrikën e Jugut dhe një në Fixhi.

Ish-drejtori i bibliotekës, Vartan Gregorian thotë se zoti Carnegie e kishte shumë për zemër që librat të ishin në dispozicion të lexuesit.

”Kur ishte fëmijë ai nuk e përballonte dot që të blente ose të merrte libra hua, por dikush që ishte zemërmirë i jepte libra që t’i lexonte. prandaj ai i premtoi vetes që kur t’i kishte mundësitë, do t’i bënte bibliotekat të ishin falas”, thotë zoti Gregorian.

David Nassau biograf i zotit Carnegie thotë se dhuratat e jashtëzakonshme të bamirësit shoqëroheshin nga disa kushte.

”Unë lexova në Washington një letër të mrekullueshme që i kishin dërguar nga Pittsburghu me anë të së cilës i kërkonin para për disa libra. Ai iu përgjigj se do të donte ta bënte një gjë të tillë, por nuk mundej, sepse banorët e Pittsburghut duhet ta ndihmonin bibliotekën, pasi përndryshe ajo nuk do të funksiononte”, thotë zoti Nassau.

Ai shton se në këtë mënyrë, zoti Carnegie ndërgjegjësonte njerëzit dhe politikanët e qytetit se bëhej fjalë për një përgjegjësi publike, po aq të rëndësishme sa edhe ndërtimi i rrugëve, kanaleve, apo forcimi i policisë.

Sot biblioteka e New Yorkut ka mbi 2 milionë anëtarë, më shumë se çdo sistem tjetër bibliotekash në Shtetet e Bashkuara. Drejtori i bibliotekës beson se Andrew Carnegie do të ishte krenar të shihte se çfarë frytesh ka sjellë dhurata e tij e 100 vjetëve më parë.

”Vitin e kaluar, bibliotekat publike të New Yorkut u vizituan nga 40 milionë vetë. Mendoj se në këto biblioteka shkojnë më shumë njerëz se në çdo qytet tjetër të planetit”, thotë zoti LeClerc.

Ai shton se ideja e zotit Carnegie kur bëri dhuratën e tij, vazhdon të trashëgohet. Sot bibliotekat e New Yorkut sigurojnë falas jo vetëm libra, por videokaseta, disqe dhe përdorimin e internetit.//kk//

XS
SM
MD
LG