Në raportin e UNICEF-it thuhet se fëmijët jo vetëm duhen shikuar, por edhe dëgjuar.
Sipas UNICEF-it, të rriturit mund të mësojnë shumë duke dëgjuar çfarë thonë fëmijët. Në raport gjithashtu thuhet se fëmijët duhet të lejohen të marrin pjesë në vendimet që ndikojnë mbi jetën e tyre.
Raporti i këtij viti mbi Gjendjen e Fëmijëve, është i pazakontë, sepse në të jo vetëm flitet për fëmijët, por edhe lejohen fëmijët të thonë fjalën e tyre. Në raport jepet një numër i madh shembujsh, që tregojnë se kur fëmijëve u dëgjohet fjala dhe u jepet rasti për të vepruar, kjo ka ndikuar në ndryshimin e jetës së tyre.
Raporti përmend një rast në provincën pakistaneze të Baluchistanit, ku vetëm 2 për qind e vajzave dinin shkrim e këndim. Kur disa grupe bojskautësh i bindën zyrtarët e arsimit që t’i lejonin vajzat të shkojnë në shkollë, u arrit që në shkollën fillore të regjistroheshin 2 mijë e 500 prej tyre.
Drejtori i UNICEF-it në Gjenevë, Steven Woodhouse, thotë se të mos u japësh rastin fëmijëve të shprehin mendimin e tyre, mund të krijojë probleme serioze. Sipas vëzhgimeve, thotë ai, miliona fëmijë ndjehen të veçuar nga shoqëria dhe nuk kanë besim te procesi politik. "Vazhdoj të jem i të njëjtit mendim, se kjo është tepër e rrezikshme për të ardhmen e botës, për arsye se kjo ndjenjë veçimi e fëmijëve shpesh kthehet në qendrime negative që nuk e ndihmojnë aspak të ardhmen e të rinjve dhe të komuniteteve ku ata jetojnë"- thotë zoti Woodhouse.
Në raportin e UNICEF-it thuhet se 150 milionë fëmijë në të gjithë botën vuajnë nga kequshqyerja dhe 120 milionë prej tyre, kryesisht vajza, nuk shkojnë në shkollë. Në raport gjithashtu theksohet se 6 mijë fëmijë dhe të rinj infektohen çdo ditë nga virusi HIV, që shkakton Sidën.
Sipas zoti Woodhouse, këto fakte përbëjnë shqetësim të madh. Por sa herë që fëmijët përfshihen në programin për parandalimin e sidës, ata luajnë një rol të rëndësishëm. "Në se marrim rastin e Ugandës, për shembull, ku ritmi i përhapjes së sidës është më i ngadaltë, një faktor kyç ka qenë përfshirja e vetë të rinjve në edukimin e moshtarëve të tyre nëpërmjet programeve të radios dhe kontakteve ballë-përballë me bashkëmoshatarët e tyre" -thote zoti Woodhouse.
Në Raportin e UNICEF-it thuhet se të dëgjosh mendimin e fëmijëve nuk do të thotë thjesht që patjetër ta mbështesësh atë. Më saktë, thuhet aty, shkëmbimi i pikëpamjeve të ndryshme, i nxit fëmijët të marrin më tepër përgjegjësi mbi vete, gjë që është në të mirën e tyre dhe të shoqërisë.//lk//