Arsimi është një ndër elementët kryesorë të ndërtimit të një shoqërie civile. Askund tjetër nuk është më e madhe nevoja për arësim sesa në Afganistan, ku gratë dhe vajzat nuk lejoheshin në mjedise mësimore. Vitet e konfliktit në Afganistan çuan në shkatërrimin e shumë ndërtesave, përfshirë edhe të shkollave. Por me ndihmën e Agjencisë Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar si dhe të ushtrisë amerikane, në Afganistan po kthehet arsimi i organizuar.
Këtë muaj përfundoi në Mazar-e-Sharif shkolla për vajza Sultan Razia. Mbi 500 vajza do të ndjekin këtë shkollë ku janë punësuar 120 mësues. Gjatë ceremonisë me rastin e hapjes së shkollës, një studente 21-vjeçare tha se: “Dua të bëhem juriste sepse dua t’i sjell drejtësi dhe liri Afganistanit... veçanërisht grave. Më parë nuk mund të luftoja, por mund të ndihmoj për ta bërë Afganistanin më të mirë.”
Në Herat, u rihap kohët e fundit shkolla Adraskan. Shkolla ekzistuese u zgjerua me një shtesë prej 16 klasash të ndërtuara me fondet e dhuruara nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar. Ashtu si pjesa më e madhe e shkollave të tjera gjatë regjimit Taleban kjo shkollë kishte vetëm nxënës meshkuj. Tani shkolla do të ketë mbi 850 studentë të të gjitha moshave, 35 për qind e të cilëve do të jenë vajza.
Nën regjimin shtypës Taleban, pjesa më e madhe e grave dhe vajzave nuk lejoheshin të punonin ose të ndiqnin shkollën. Afërsisht gjysma e popullsisë afgane nuk lejohej të kontribuonte për ekonominë afgane ose të merrte pjesë në shoqërinë afgane. Gratë detyroheshin të mbuloheshin kokë e këmbë me burka. Këpucët me taka, tualeti dhe manikyra ishin të ndaluara. Gratë që i shkelnin rregullat rriheshin.
Me rrëzimin e regjimit Taleban, Afganistani ka shansin të rindërtojë jo vetëm infrastrukturën dhe ekonominë e tij, por të gjithë shoqërinë. Gratë dhe vajzat kanë përsëri mundësinë të arsimohen, të punësohen dhe të kontribuojnë në zhvillimin e vendit. //ad//