Lidhje

Alkooli shkakton dëme të pariparueshme tek truri i të rinjve - 2002-12-10


Një raport i ri që u bë publik dje nga Shoqata Amerikane e Mjekësisë tregon se përdorimi i alkoolit shkakton dëme të pariparueshme në zhvillimin e trurit të adoleshentëve. Deri tani në përgjithësi besohej se të rinjtë e marrin veten shpejt nga efektet e të pirit. Por shkencëtarët kanë zbuluar se është krejtësisht e kundërta. Alkooli shkakton më shumë dëme, ndoshta të pariparueshme në zhvillimin e trurit të të rinjve nën moshën 21 vjeçare sesa tek grupmoshat e tjera. Studimi tregon se përdorimi i alkoolit gjatë viteve të adoleshencës shkakton dëme në kujtesë dhe në qendrën e të mësuarit në tru, si edhe në lobet e tij të përparme që kanë të bëjnë me marrjen e vendimeve dhe gjykimin. Nga krahasimi i imazheve të trurit të adoleshentëve që kishin abuzuar me pijet alkoolike, me të atyre që nuk pinin, doli se ata që pinin e kishin zonën e trurit që merret me kujtesën dhe të mësuarit 10 për qind më të vogël. Ky është një zvogëlim i konsiderueshëm dhe ndoshta i pariparueshëm. Studimi tregon gjithashtu se ata që pinin kishin më shumë mundësi që të kishin rezultate të ulëta në shkollë, të vuanin emocionalisht dhe të përpiqeshin të vrisnin veten. Në studim thuhet se edhe pirja apo dehja e rastësishme, rriste mundësinë për dëmtimin e trurit të të rinjve, duke provuar se vendimet që marrin të rinjtë për të pirë apo mos pirë alkool, përcaktojnë cilësinë e trurit të tyre për sot dhe për të ardhmen.

Një grup ligjvënësish, prokurorësh dhe teknikësh mjeko-ligjorë të laboratorëve duan të përdorin metodën e shenjave të gishtërinjve për të klasifikuar cilindo që është dënuar për krime. Ata duan që çdo kriminel të japë kampionin gjenetik për një bazë të dhënash të organeve të rendit, sipas një projektligji që u propozua këto ditë. Grupi i punës thotë se kampioni gjenetik që është i veçantë për secilin prej nesh mund të ndihmojë në sqarimin e rasteve të pazgjidhura. Po ashtu mund edhe të nxjerrë të pafajshëm ata që janë dënuar gabimisht.

Muzeu i Natyrës dhe Shkencës në Denver të shtetit Colorado, sapo ka bërë publike disa pamje mbresëlënëse të një meteori që u shfaq në qiellin e Colorados muajin e kaluar. Videoja është marrë nga një kamera sigurie dhe në një moment të caktuar ndërsa meteori po lundronte në hapësirë, ai lëshoi një dritë të befasishme të jashtëzakonshme që ishte tepër e dukshme në kamera. Shkencëtarët thonë se mendojnë që meteori të ketë rënë diku në Montrose të Colorados dhe se mund të jetë i madh sa një dollap.//kk//

XS
SM
MD
LG