Lidhje

Sekretari amerikan i Thesarit jep dorëheqjen. - 2002-12-06


Presidenti Bush po bën ndryshime në grupin e këshilltarëve të tij ekonomikë, pas dorëheqjeve të Sekretarit të Thesarit, Paul O’Neill dhe këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë për ekonominë, Larry Lindsey.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ari Fleischer nuk pranoi të komentonte mbi rrethanat e dorëheqjeve. Ai u tha gazetarëve se presidenti i vlerësonte lart arritjet e dy zyrtarëve gjatë qëndrimit në detyrë, por shtoi se Shtëpia e Bardhë po kërkon njerëz që të gëzojnë besimin e Wall Street-it. Si zyrtari më i lartë ekonomik i administratës, Sekretari O’Neill është kritikuar shpesh se nuk kishte arritur të hartojë një politikë të qartë ekonomike për Shtetet e Bashkuara.

Zëdhënësi i Shëpisë së Bardhë, Ari Fleischer thotë se ka mundësi që Sekretari i Thesarit, O’Neill dhe këshilltari ekonomik i Shtëpisë së Bardhë, Larry Lindsey të qëndrojnë në detyrë deri në fund të vitit, para se të emërohen ata që do t’i zëvendësojnë.

Ai thotë se Presidenti Bush ”e vlerëson shumë” punën e tyre në drejtim të kalimit të vendit, siç e quan ai ”nga një periudhë rënieje në një periudhë rritjeje ekonomike”. Ai tha se të dy zyrtarët luajtën një rol të rëndësishëm në miratimin e uljes së taksave dhe të paketës ligjore për sigurimet pas dëmeve të shkaktuara nga aktet terroriste, të dyja të propozuara nga Presidenti, si edhe për rivendosjen e Autoritetit të Presidentit në lidhjet tregëtare me jashtë.

Sekretari O’Neill është zyrtari i parë në nivel ministror që largohet nga Administrata e Presidentit Bush. Zoti Fleischer nuk tha nëse dy zyrtarët ishin shkarkuar nga detyra, duke këmbëngulur se të dy ata vendosën të japin dorëheqjen në të njëjtën kohë.

Zoti Fleischer tha se presidenti do të kishte parasysh kur të zgjidhte pasardhërit e tyre, që të gjente njerëz të cilët gëzojnë besimin e tregjeve.

Analistët parashikojnë se ndryshimet e zyrtarëve ekonomikë të presidentit mund të rikthejnë besimin e investitorëve dhe të zbutin kritikat e ashpra, sipas të cilave administrata nuk po i kushton shumë vëmendje rimëkëmbjes së ekonomisë të dobësuar të vendit. //ad//

XS
SM
MD
LG