Inspektorët e Kombeve të Bashkuara për armët kanë mbërritur në Bagdat me misionin e kërkimit për armë të shkatërrimit në masë në Irak. Inspektorët kanë shkuar atje për të vënë në zbatim një rezolutë që u miratua njëzëri nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Në bazë të kësaj rezolute, Irakut i kërkohet të deklarojë dhe të nxjerrë haptazi armët e tij të shkatërrimit në masë, si dhe çdo program për zhvillimin e armëve të tilla. Regjimi i Sadam Huseinit vazhdon të këmbëngulë se nuk ka armë të shkatërrimit në masë.
Danielle Pletka është zëvendës-presidente për studime në politikën e jashtme pranë Institutit amerikan Enterprise. Ajo thotë se Sadam Huseini do ta shkelë rezolutën e re të Kombeve të Bashkuara që nga dita kur t’i kërkohet të përgjigjet:
“Kjo do të jetë prova e parë e madhe për të. Atij i duhet të tregojë jo vetëm armët e ndaluara të shkatërrimit në masë, ato kimike, bërthamore, biologjike dhe raketat. Ai duhet të tregojë se ku mban edhe pjesët përbërëse dhe teknologjinë e prodhimit të këtyre armëve. Me fjalë të tjera, materiale si klori i gazuar, që Sadami e ka siguruar prej vitesh përmes Kombeve të Bashkuara, dhe që është pjesë përbërëse në prodhimin e armëve kimike si dhe për pastrimin e ujit. Ne duhet të dimë se ku ka përfunduar gjithë kjo sasi,” thotë analistja.
John Barry është korrespondenti për çështje të sigurimit kombëtar për revistën Newsweek. Ai mendon se do të duhet që Iraku të bllokojë inspektorët para se koalicioni të ndërmarrë veprime kundër tij:
“Inspektorëve u kërkohet të bëjnë inspektime të papritura dhe të futen në disa prej mjediseve më delikate të Sadam Huseinit, para së gjithash në pallatet e tij dhe së dyti në zyrat dhe selitë e truprojës së tij, pasi duhet të provojnë nëse vërtetë Sadam Huseini ka ndryshuar rrugë. Por ata parashikojnë se udhëheqësi irakian do t’ua përplasë derën në fytyrë dhe nuk do t’i lejojë inspektimet. Pikërisht pengesa të tilla do t’i bëhen të ditura Këshillit të Sigurimit dhe do të bëhen shkas për luftë,” thotë zoti Barry.
Thomas Kleine-Brockoff është shefi i zyrës së Washingtonit për gazetën gjermane Die Zeit. Ai nuk mendon se Iraku do të bashkëpunojë plotësisht me inspektorët dhe thotë se kjo gjë do të çojë në veprime me forcë: “Unë mendoj se Sadam Huseini dhe njerëzit e tij do të kryejnë shkelje të shumta. Kjo mund të ndodh shumë lehtë. Nuk ka nevojë të jetë një pikë inspektimesh. Mund të jetë kundërshtimi i tij për të respektuar afatet kohore. Të gjitha këto përbëjnë shkelje të rezolutës,” thotë zoti Kleine-Brockoff.
Presidenti Bush ka thënë se nëse Iraku shkel rezolutën dhe Kombet e Bashkuara nuk veprojnë, Shtetet e Bashkuara do të vihen në krye të një koalicioni të vendeve të gatshme për të vepruar për çarmatosjen e Sadam Huseinit. //ad//