Lidhje

Kalendari Historik 17 nëntor - 2002-11-22


Më 17 nëntor të vitit 1800, Kongresi i Shteteve të Bashkuara u mblodh për herë të parë në ndërtesën e përfunduar pjesërisht të Kapitolit në Washington DC. Kongresi i kishte filluar planet për mbledhjen e ligjvënësve vazhdimisht në një vend të caktuar, që në vitin 1790. Trupi legjislativ nuk ishte i kënaqur që ishte i detyruar të mblidhej në 8 qytete të ndryshme që nga nënshkrimi i Deklaratës së Pavarësisë më 1776. Kongresi caktoi George Washingtonin të zgjidhte një vend si distrikt të përheshëm qeveritar apo kryeqytet. Ai zgjodhi një truall prej 256 kilometrash katrore përgjatë bregut lindor të lumit Potomac mes Marylandit dhe Virxhinias. Thomas Jefferson zgjodhi vendin për ndërtimin e Kapitolit, emër më të cilin njihet ndërtesa e kongresit amerikan, në një kodër që shikon mbi lumë. Kjo ndërtesë ka qenë vazhdimisht duke u ndërtuar apo restauruar që nga fillimi i punimeve më 1793.

Më 17 nëntor 1968 një ndeshje e futbollit amerikan ndërmjet skuadrës Jets të Nju Jorkut dhe skuadrës Raiders të Oaklandit të Kalifornisë mbeti e paharruar për tifozët e sportit dhe fazat interesante të ndeshjes, ishin vetëm një pjesë e arsyes. Vetëm 65 sekonda para se të përfundonte ndeshja, skuadra e Nju Jorkut shënoi 3 pikë, duke e ndryshuar rezultatin në 32 me 29 në favor të saj. Menjëherë pas kësaj, rrjeti televiziv amerikan, NBC, që po transmetonte ndeshjen, filloi të japë një reklamë televizive, kështu që telespektatorët e Bregut Lindor të Shteteve të Bashkuara nuk mundën ta shohin rezultatin e ndeshjes. Ishte ora 7 e mbrëmjes në zonën lindore të Shteteve të Bashkuara dhe në këtë kohë kanali NBC, duke vazhduar programet e tij, filloi të shfaqë filmin për fëmijë, Heidi. Miliona telespektatorë në pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara nuk mundën të shohin fundin plot emocione të ndeshjes së futbollit amerikan, kur skuadra e Oaklandit duke shënuar dy herë mundi ekipin e Nju Jorkut me rezultatin 43 me 32. Mijëra tifozë futbolli i telefonuan rrjetit televiziv NBC dhe kur centrali telefonik i NBC-së nuk ishte në gjendje t’u përgjigjej të gjitha thirrjeve telefonike, disa tifozë të zemëruar i telefonuan Departamentit të Policisë të Nju Jorkut dhe kompanisë telefonike. Tifozët e futbollit amerikanë dhe as vetë Liga Kombëtare e Futbollit Amerikan kurrë nuk e harruan ndeshjen, që u bë e njohur me emrin Loja Heidi. Kurse industria televizive amerikane nxori një mësim të mirë lidhur me devotshmërinë e tifozëve të futbollit. Në vitet që pasuan Lojën Heidi, është bërë një praktikë e zakonshme për rrjetet televizive që ta vazhdojnë transmetimin e ndeshjeve të futbollit derisa të përfundojnë, edhe në rast se për këtë u duhet t’i shtyjnë emisionet. //az//

XS
SM
MD
LG