Krye-inspektori i armëve, Hans Blix, u largua nga Bagdadi pas dy ditë bisedimesh me zyrtarë të lartë irakianë mbi rifillimin e kërkimit për armë të shkatërrimit në masë.
Pasi mbërritën sot në Qipro, zoti Blix dhe kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Muhamed El Baradei, u thanë gazetarëve se bisedimet e tyre në Irak ishin konstruktive dhe se zyrtarët irakianë kanë premtuar bashkëpunim të plotë me inspektorët e Kombeve të Bashkuara për armët.
Po sot, zoti Blix tha se Bagdadi ende nuk ka paraqitur dokumenta bindëse për të mbështetur pretendimin se Iraku nuk ka armë të ndaluar.
Një këshilltar i lartë i presidentit irakian, Sadam Husein, tha se Bagdadi do të respektojë afatin e 8 dhjetorit të caktuar nga Kombet e Bashkuara për të deklaruar të gjithë informacionin rreth armëve të shkatërrimit në masë. //rd//