Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan dënoi me forcë atë që ai e quajti ”një akt terrorist të shëmtuar” të ndërmarrë dje nga palestinezët, në të cilin humbën jetën 12 izraelitë.
Zoti Annan tha në një deklaratë me tone të ashpra të pazakonta se ai është i skandalizuar nga prita që iu zu izraelitëve të cilët po ktheheshin më këmbë nga një ceremoni hebraike e sabatit në Hebron të Bregut Perëndimor.
Ai tha se ”një dhunë e tillë e pakuptimtë” është jashtëzakonisht e dëmshme për çështjen palestineze. Përgjegjësinë për sulmin e mori grupi ekstremist palestinez Xhihadi Islamik.
Dhuna izraelito-palestineze është shtuar tani që përpjekjet e paqes janë pezulluar. Pezullimi i përpjekjeve ka ardhur për shkak se Izraeli po përgatitet për zgjedhjet e janarit dhe për arësye të pasigurive që ka krijuar gjendja lidhur me Irakun./ii