Ekipet e para të inspektorëve të OKB-së për armët do të mbërrijnë në Irak ditën e hënë për të filluar punën përgatitore lidhur me misionin e tyre të kërkimit për armë të shkatërrimit në masë.
Iraku, i cili mohon se ka armë biologjike, kimike dhe bërthamore, njoftoi të merkurën se do të respektojë rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon prova se Bagdadi nuk ka armë të tilla.
Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Muhamed El-Baradei, do të kryesojë procesin për kërkimin e armëve bërthamore. Zoti El-Baradei tha dje se çdo shenjë mungese e bashkëpunimit do t’i raportohet Këshillit të Sigurimit në mënyrë që të vendosë nëse Bagdadi po kryen atë që në rezolutë cilësohet si shkelje materiale, zhvillim ky që do të sillte pasoja serioze.
Në rezolutë nuk përmenden pasoja specifike, por presidenti Bush ka kërcënuar për ndërhyrje ushtarake.