Lidhje

Raport i ri i OKB-së për ekonominë botërore - 2002-11-14


Në raport thuhet se ekonomia botërore po rimëkëmbet ngadalë, kryesisht ngaqë ekonomia amerikane vazhdon të jetë e avashtë, gjë që ka patur pasoja në mbarë ekonominë botërore.

Raporti parashikon që ekonomia amerikane do të shënojë një rritje prej 2,6 për qind vitin e ardhshëm dhe ajo e vendeve të Evropës Perëndimore, vetëm një rritje prej 2 për qind.

Një ekonomist me përvojë i OKB-së, Dieter Hesse thotë se një luftë e mundshme kundër Irakut, gjithashtu do ndikonte negativisht në ekonominë botërore.

"Kjo, -tha zoti Hesse,- do dëmtonte besimin e konsumatorëve dhe atë të bizneseve dhe pasiguria në rritje e shoqëruar me luftën, do të frenonte aktivitetin ekonomik në vende të ndryshme. Në se i hedhim një vështrim luftës së parë më Iraku, do të shohim se lufta, gjithashtu, ka qenë një faktor që la luajtur rol në ngadalësimin e ekonomisë botërore që ndodhi në atë kohë", -tha ekonomisti Hesse.

Por, në raportin e OKB-së ka edhe disa të dhëna pozitive. Megjithëse ngadalësimi i ekonomisë botërore është ndjerë më tepër në vendet e Evropës Qendrore, kryesisht për shkak të rënies së ekonomisë polake, në raport thuhet se Produkti i Përgjithshëm i Brendshëm i vendeve të ish-Bashkimit Sovjetik, është rritur më tepër se 4 për qind dhe kjo rritje është akoma më e lartë për vendet balltike, të cilat kanë shenuar një rritje prej më tepër se 5 për qind. Shefi i seksionit të OKB-së për ekonomitë në tranzicion, Rumen Dobrinski, thotë se ekonomia ruse po ecën mirë në saje të rritjes së çmimit të naftës dhe reformave strukturale dhe ekonomike të ndërmarra në këtë vend. ”Mendoj,- tha zoti Dobrinski,- se perspektivat për ekonominë ruse janë mjaft të mira, megjithëse nuk është realiste të presësh ritme tepër të larta rritjeje të cilat u vunë re, të themi, 2 ose tre vjet më parë; për shembull, në vitin 2000, ekonomia ruse shënoi një rritje prej 9 për qind. Rritja ekonomike në Rusi do të vazhdojë me ritme të larta, me 4 për qind, ose edhe më tepër, në vitet e ardhshme,” tha zoti Dobrinski.

Në raportin e OKB-së thuhet se të gjitha vendet e ish-Bashkimit Sovjetik i kanë kapërcyer vitet e ngadalësimit ekonomik dhe se tani ato po gëzojnë një periudhë të rimëkëmbjes ekonomike.// lk //

XS
SM
MD
LG