Lidhje

Afganistani ka nevojë për ndihmë - 2002-11-14


Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara të ndihmojnë popullin e Afganistanit për t’u mëkëmbur nga mëse dy dekada të pushtimit sovjetik dhe të luftës civile. Nga viti 1996 deri vitin e kaluar, afganët jetuan nën regjimin taleban, regjimi i parë në histori i financuar nga terrorizmi.

Por gjendja në Afganistan tashmë ka ndryshuar. Një koalicion i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara ndihmoi në rrëzimin nga pushteti të regjimit taleban dhe i detyroi terroristët e al-Qaidës që të largoheshin nga ky vend. Në qershor, këshilli kombëtar afgan, i njohur me emrin Loya Jirga, formoi qeverinë e re të kryesuar nga Hamid Karzai. Në Afganistan po vendoset liria e shtypit. Komisionet mbi të drejtat e njeriut dhe ato të ngarkuara për hartimin e kushtetutës së re do të kërkojnë krijimin e themeleve për shtetin ligjor.

Por rindërtimi i Afganistanit është një proces i gjatë. Më shumë nevojitet për të ndihmuar këtë vend të shkatërruar, për të rindërtuar strukturat e tij sociale, forcat e sigurisë dhe ekonominë.

Kamal Hossain është një punonjës i Kombeve të Bashkuara në ngarkim të gjendjes së të drejtave të njeriut në Afganistan. Sipas tij populli afgan ka nevoja urgjente për fonde dhe ushqime për të përballuar nevojat e tij. Zoti Hossain tha se ”nëse kërkojmë të mbështesim një program që synon ndryshimin e një shoqërie, e cila në të kaluarën i ka privuar njerëzit nga të drejtat themelore, siguria e jetës, të drejtat e gruas, nëse synojmë t’i rivendosim këto të drejta, atëherë kemi nevojë për burime.”

Deri më tani rreth 2 milion nga pesë milionë refugjatë afganë janë kthyer në shtëpitë e tyre. Siç u shpreh zoti Hossein, ”pavarësisht se siguria nuk është rivendosur plotësisht, njerëzit shohin përparime të mjaftueshme për ti bërë ata që të kthehen në vend.” Që nga fillimi i këtij viti Shtetet e Bashkuara kanë kontribuar 500 milion dollarë në ndihma.

Në Afganistan janë rihapur shkollat. 45 për qind e nxënësve të regjistruar në shkollat e kryeqytetit të Afganistanit, Kabul, janë vajza. Tani gratë po japin mësim në të gjitha nivelet e mësimdhënies. Regjimi taleban ua kishte mohuar atyre këtë të drejtë. Por nga ana tjetër zoti Hossein vë në dukje, se ”është shqetësues fakti që mësuesit nuk janë paguar prej mëse gjashtë muajsh.”

Shtatë shkolla afgane vajzash janë sulmuar dhe disa afganë vazhdojnë të jenë kundër edukimit të vajzave të reja. Por, sipas zotit Hossein, këto mendime nuk janë mbizotëruese. Shumica e afganëve kanë dëshirën t’i arsimojnë vajzat dhe realizimi i kësaj dëshire kërkon sigurimin e fondeve.”

Siç ka thënë presidenti Bush, ” në Afganistan mbetet ende shumë punë për t’u bërë. Ne do të vazhdojmë ta ndihmojmë atë vend që të zhvillohet.”

XS
SM
MD
LG