Lidhje

Presidenti Bush informon Asamblenë e Përgjithshme mbi shkeljen e hapur të rezolutave nga Iraku - 2002-11-13


Në fjalën që mbajti në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në muajin shtator, Presidenti George W. Bush dha hollësi që dëshmonin se si regjimi irakian ka shkelur hapur rezolutat e miratuara nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së që nga koha e Luftës në Gjirin Persik. Midis të tjerash, regjimi irakian kishte rënë dakord për shkatërrimin dhe ndalimin e prodhimit të të gjitha armëve të shkatërrimit në masë dhe raketave me rreze të gjatë veprimi, si dhe për t’iu nënshtruar inspektimeve të rrepta të armëve. Siç u shpreh presidenti Bush në fjalimin e tij, Iraku ”ka shkelur çdo aspekt të këtij zotimi themelor.”

Janë më se të qarta rreziqet që paraqet refuzimi nga ana e Irakut për të hequr dorë nga armët e shkatërrimit në masë. Siç u shpreh presidenti Bush në fjalimin që mbajti në OKB, nëse regjimi irakian do t’u jepte armë të tilla aleatëve të tij terroristë, atëhere ”sulmet terroriste të 11 shtatorit do të ishin prelud i tmerreve edhe më të mëdha”. Presidenti Bush i nxiti në fjalimin e tij Kombet e Bashkuara, që këto të fundit të sigurohen se rezolutat, sipas fjalëve të tij, ”të mos mbeten vetëm në letër”.

Më 7 nëntor, Këshilli i Sigurimit i OKB-së ju përgjigj sfidës që i parashtroi presidenti Bush. Këshilli miratoi njëzëri një rezolutë që kërkonte që regjimi irakian të bënte të njohura armët e shkatërrimit në masë që dispononte dhe t’i shkatërronte ato. Sipas rezolutës, brenda një muaji, regjimi irakian duhet t’u dorëzojë Kombeve të Bashkuara një deklaratë të plotë, të saktë dhe me të dhënat më të fundit, në lidhje me programet e tij për ndërtimin të armëve kimike, biologjike dhe bërthamore, raketave balistike dhe sistemeve të tjera të përdorimit të tyre. Në deklaratë duhet të përfshihet vendi i saktë se ku ndodhen këto armë. Iraku gjithashtu duhet të bëjë të ditura objekte e tij jo-ushtarake bërthamore, kimike, apo biologjike.

Po sipas rezolutës së OKB-së, brenda 45 ditëve, Bagdadi duhet të lejojë hyrjen e inspektorëve të armëve menjëherë, në mënyrë të pakushtëzuar dhe të pakufishme.” Këtu përfshihen pallatet presidenciale dhe objekte të tjera që i përkasin Sadam Huseinit e pjesëtarëve të tjerë të rrethit të tij të ngushtë. Inspektorët e armëve gjithashtu duhet të jenë të lirë të inspektojnë pajisje dhe dokumente, si dhe të lejohen të takojnë dhe intervistojnë zyrtarë e personat e tjerë.

Presidenti Bush e quajti Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ”një provë përfundimtare” për regjimin irakian. Inspektimet për të cilat bëhet thirrje, janë mjete për t’u dhënë fund të gjitha armëve të shkatërrimit në masë nga ana e Irakut. Siç tha presidenti Bush, eksperienca e dekadës së fundit ka treguar se inspektimet nuk do të kenë rezultat në çarmatosjen e Irakut, në se regjimi irakian nuk bashkëpunon me inspektorët e armëve. Bagdadi nuk do të lejohet më të pengojë inspektorët e armëve, siç ka vepruar në të kaluarën.

Rezoluta 1-4-4-1 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së i jep Irakut rastin përfundimtar për të bashkëpunuar dhe për t’u çarmatosur, në mënyrë paqësore. Në se regjimi irakian nuk bashkëpunon me rezolutën e OKB-së, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera do ta çarmatosin Saddam Husseinin. //az//

XS
SM
MD
LG