Lidhje

Në Maqedoni partitë e koalcionit krijojnë këshill partnerësh - 2002-11-07


Bashkimi Demokratik për Integrim e kryesuar nga Ali Ahmeti dhe Lidhja Socialdemokrate e kryesuar nga Branko Cërvenkovski, dy partitë kryesore në koalicionin e ri qeveritar të Maqedonisë, do të krijojnë një këshill partnerësh të kryesuar nga Ali Ahmeti dhe Branko Cërvenkovski, i cili do të trajtojë problemet politike, para se ato cështje të trajtohen në qeveri apo parlament.

Zëvëndëskryeministri shqiptar i qeverisë së Maqedonisë Musa Xhaferri, i tha Zërit të Amerikës, se është arritur në përfundimin se është i nevojshëm krijimi i një mekanizmi të tillë për zgjidhjen e problemeve politike sic është këshilli i partnerëve, në të cilin përvec dy krerëve kryesorë, do të përfshihen edhe zyrtarë të tjerë në varësi të problemit që do të diskutohet.

Ky këshill partnerësh konsiderohet organ politik i cili pritet të lehtësojë punën e qeverisë dhe parlamentit në planin politik për të dy grupimet më të mëdha politike. Zoti Xhaferri thotë se partia e tij nuk ka ndërmend të ndryshojë gjithë administratën shtetërore me ardhjen e saj në pushtet, por vetëm postet politike. Ai thekson se ndryshimi i plotë i administratës do të ishte i dëmshëm. Ndërkohë në një zhvillim tjetër, presidentët e Maqedonisë dhe Shqipërisë, Boris Trajkovski dhe Alfred Moisiu, patën sot një bisedë telefonike, në të cilën u bisedua lidhur me mundësinë e mbajtjes së një takimi midis tyre këtë muaj për të biseduar për bashkëpunimin dypalësh dhe ekonomik midis dy vendeve dhe takimin e ardhshëm të NATO-s në Pragë.

Presidenti shqiptar ka vlerësuar zgjedhjet paqësore që u mbajtën në Maqedoni më 15 shtator dhe krijimin e qeverisë së re të drejtuar nga Branko Cërvenkovski. Zyra e shtypit e presidentit maqedonas bëri të ditur se dy presidentët ishintë një mendjeje se stabiliteti dhe paqja në rajon është interes i përbashkët për të dy vendet, po kështu edhe integrimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë në strukturat euro-atlantike.

Presidenti maqedonas pati gjithashtu një bisedë telefonike me presidentin kroat Stipe Mesic lidhur me takimin e Pragës dhe takimin tri-palësh midis presidentëve të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë, që pritet të bëhet gjatë takimit të Pragës.

//rd//

XS
SM
MD
LG