Lidhje

Qeveria e Kazakistanit ndërmerr sulme kundër mjeteve të pavarura të informimit - 2002-11-06


Arrestimi i një gazetari mjaft të njohur të opozitës në Kazakistan ka tërhequr vëmendjen ndaj sulmeve sistematike kundër mjeteve të pavarura të informacionit. Gazetari Sergei Duvanov, u ndalua pak para se të nisej për në Shtetet e Bashkuara për të njohur amerikanët lidhur me gjendjen e të drejtave të njeriut në Kazakistan. Pas ndalimit të tij, ndaj zotit Duvanov u ngritën akuza se gjoja kishte përdhunuar apo kishte kryer tentativë për përdhumin ndaj një të miture.

Zoti Duvanov është redaktor i buletinit të përjavshëm të Zyrës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut dhe Shtetin Juridik. Ai është anëtar aktiv i opozitës politike në Kazakistan. Zoti Duvanov thotë se arrestimi i tij është pjesë e një fushate për ta diskreditiuar. Akuzat e ngritura janë serioze dhe kërkojnë hetime të plota e transparente. Në qoftë se shpallet fajtor, ai mund të dënohet me 10 vjet burg.

Më parë gjatë këtij viti, zoti Duvanov botoi një seri artikujsh ku shkruante se Presidenti i Kazakistanit, Nursulltan Nazarbajev, dhe ndihmës të ngushtë të tij kanë transferuar fonde qeveritare në llogari bankare në Zvicër për përdorim personal. Në korrik, gazetari u bë objekt i një hetimi penal nga ana e shërbimit të fshehtë shtetëror. Në gusht, zoti Duvanov u rrah nga tre persona të panjohur pranë apartamentit të tij në Almaty, kryeqyteti i Kazakistanit, pikërisht para udhëtimit për në Varshavë ku do të merrte pjesë në një mbledhje të Organizatës për Sigurim dhe Bashkëpunim në Evropë.

Sergei Duvanov nuk është i vetmi gazetar i pavarur në Kazakistan që është vënë në shenjestër të sulmeve frikësuese. Në maj, zyra e organit opozitar Rishkimi i Biznesit u sulmua me bombë pas një letre kërcenuese, e cila ishte ngulur me një thumb në trupin pa jetë të një qeni me kokë të prerë. Pas disa ditësh, një gjykatë në Almaty vendosi mbylljen e këtij organi. Gjithashtu në maj, persona të panjëjtësuar hynë me forcë në zyrat e gazetës opozitare ”SolDat”, rrahën dy gazetarë dhe vodhën kompjutera e pajisje të tjera. Redaktori i gazetës dhe vëzhgues të jashtëm besojnë se sulmi ishte i motivuar politikisht.

Këto sulme si dhe arrestimi i Sergei Duvanovit, ngjallin dyshime të thella. Është përgjegjësia e qeverisë së Kazakstanit të marrë masat që gazetarët e pavarur të jenë në gjendje të kryejnë punën e tyre në një atmosferë pa dhunë dhe frikësime.

//rd//

XS
SM
MD
LG