Britania dhe Shtetet e Bashkuara po intensifikojnë përpjekjet për miratimin e një projekt rezolute të re amerikane mbi çarmatosjen e Irakut.
Presidenti Bush i telefonoi presidentit rus Vladimir Putin sot për të diskutuar çështjen ndërkohë që në Këshillin e Sigurimit të OKB-së po zhvillohen diskutime lidhur me propozimin amerikan.
Në Britani, sekretari i jashtëm, Jack Straw tha se rezoluta duhet të miratohet pa vonesë duke i dhënë Irakut një rast të fundit të asgjësojë armët e shkatërrimit në masë që ai dyshohet se zotëron.
Vendet me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit, Franca dhe Rusia, kanë ende rezerva pasi kërkojnë të sigurohen se rezoluta nuk do të lejojë automatikisht përdorimin e forcës ushtarake.
Projektrezoluta paralajmëron për pasoja serioze në se Iraku nuk bashkëpunon plotësisht me inspektorët e armëve. Ndërkohë, presidenti irakian Saddam Hussein citohet të ketë thënë se Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë duhet t’u ndalet dora para se të fillojnë të imponojnë ”synimet e tyre djallëzore” kudo në botë.
//rd//