Lidhje

Kalendari Historik 1 nëntor - 2002-10-29


Më 1 nëntor të vitit 1950, dy nacionalistë portorikanë u përpoqën të vrisnin presidentin amerikan Harry Truman. Ata ishin të zemëruar ngaqë presidenti Truman nuk kishte marrë masa për të bërë realitet deklaratën e tij që Porto Rikos t’i jepej pavarësia e plotë. Përpjekja për vrasjen e presidentit Truman u bë në kohën që ai jetonte me familjen e tij në Blair House, një ndërtesë përballë Shtëpisë së Bardhë, e cila në atë kohë po restaurohej. Ndërsa personat e armatosur nxituan në drejtim të derës kryesore të ndërtesës, agjentët e shërbimit sekret shtinë me armë në drejtim të tyre. Ata vranë njërin prej atentatorëve dhe kapën të dytin, para se ai të hynte në ndërtesë. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, u vra një nga rojet e Shtëpisë së Bardhë. Shtetet e Bashkuara e kishin marrë nën kontroll Porto Rikon që nga viti 1898, pas fitores në luftën kundër Spanjës.

Më 1 nëntor të vititi 1890, kushtetutës së shtetit Mississipi iu shtua një masë që do t’u mohonte afrikano-amerikanëve të drejtën për të votuar. Ky ligj kërkonte që të gjithë votuesit në këtë shtet jugor duhej të ishin në gjendje ta lexonin dhe ta interpretonin kushtetutën e Shteteve të Bashkuara. Në atë kohë, 25 vjet pasi jugu i Amerikës ishte mundur në Luftën Civile, vetëm një numër i vëgël zezakësh në Mississipi ishin në gjendje të lexonin dhe një numër shumë më i vogël kishin arsimin e nevojshëm që t’i bënte ata të aftë të diskutonin rreth kushtetutës. Prova e leximit para votimit në Mississipi ishte një nga pengesat tipike që dolën në skenë në disa shtete të jugut me synimin për të parandaluar pjesëmarrjen e zezakëve, dikur skllevër dhe pasardhës të tyre, në votim dhe në qeverisje. Kjo gjendje filloi të ndryshonte në vitin 1960, kur qeveria federale filloi të vinte në jetë të drejta të reja civile dhe ligje mbi të drejtën për të votuar që ishin hartuar për të siguruar të drjetat e zezakëve si qytetarë amerikanë.

//rd//

XS
SM
MD
LG