Universiteti i Harvardit, institucioni më i vjetër i arsimit të lartë në Shtetet e Bashkuara, u themelua në koloninë e Masaçusetit më 29 tetor të vitit 1636, nga udhëheqës fetarë që kishin studiuar në universitetet e Oksfordit dhe të Kambrixhit në Angli. Qëllimi i Harvardit ishte përgatitja e klerikëve të mësuar për koloninë. Studentët e universitetit mësonin greqisht e latinisht dhe studionin filozofët grekë e romakë. Në universitet mbizotëronte një atmosferë fetare, e cila përfshinte dy shërbesa kishëtare çdo ditë. Me kalimin e shekujve, Harvardi i ka zgjeruar programet e tij mësimore. Aty janë diplomuar vazhdimisht një numër i madh shkencëtarësh të njohur, burrash shteti, afaristësh dhe presidentësh të Shteteve të Bashkuara. Në ditët tona ky universitet vazhdon të mbetet një standard përsosmërie, për vlerësimin e institucioneve të tjera të arsimit të lartë në Shtetet e Bashkuara.
Më 29 tetor 1966, shkrimtarja Betty Friedan(Fridan) dhe rreth 30 udhëheqëse të tjera të shquara të lëvizjes së grave, krijuan Organizatën Kombëtare të Grave. Organizata u ngrit për të luftuar diskriminimin gjinor dhe për t’i futur gratë në jetën e gjallë të shoqërisë. Në vitin 1971 organizata filloi t’i inkurajojë gratë të përpiqeshin për të siguruar poste publike. Kjo përpjekje u kurorëzua me sukses në zgjedhjet për në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, si edhe në zgjedhjet për zyra shtetërore dhe lokale. Megjithatë organizata nuk pati sukses në përpjekjet për të arritur një nga qëllimet e saj kryesore: ratifikimin e Amendamentit për të Drejta të Barabarta. Qëllimi i këtij amendamenti të kushtetutës ishte t’u garantonte grave të drejta ligjore dhe ekonomike të barabarta me burrat. Ndër objektivat e tjera të Organizatës Kombëtare të Grave janë përpjekjet për t’i dhënë fund dhunës kundër grave dhe për t’u krijuar mundësi dhe kushte të përshtatshme për punë. Organizata kombëtare e Grave ka gjysmë milioni anëtare aktive në 550 degë të shpërndara në gjithë Shtetet e Bashkuara.
//rd//