Lidhje

Regjimi i Sadam Huseinit duhet t'i japë fund mbështetjes së terrorizmit - 2002-10-19


Presidenti Bush ka nënshkruar një rezulotë të kongresit amerikan që e autorizon atë, në rast nevoje, të përdorë forcën ushtarake kundër regjimit irakian të Sadam Huseinit. Presidenti tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre do të veprojnë nëse Kombet e Bashkuara nuk do të jenë në gjendje të garantojnë se Bagdadi do të heqë dorë nga armët e tij të shkatërrimit në masë.

Regjimi irakian është i armatosur me armë biologjike dhe kimike, ai zotëron raketa balistike, mbështet terrorizmin, dhe po kërkon të shtjerë në dorë armë bërthamore. Diktatori i tij ka një histori vrasjesh masive dhe sulmesh të papritura kundër vendeve të tjera. Sadam Huseini ka treguar mospërfillje ndaj kërkesave të botës së qytetëruar. Nëse regjimi i tij siguron një fuqi më të madhe shkatërruese, atëherë fqinjët e Irakut do të përballen me shantazhe, frikë dhe sulme. ” Kaosi në Lindjen e Mesme, tha presidenti Bush, do të ndikojë në Evropë dhe më gjerë.”

Për 11 vjet, Iraku ka mashtruar dhe është përpjekur të pengojë misionin e inspektorëve të armëve të OKBs. Tani regjimi irakian duhet të asgjësojë menjëherë dhe pa kushte të gjitha armët e shkatërrimit në masë, raketat me rreze të gjatë veprimi dhe të gjitha materialet që kanë lidhje me to. Siç tha presidenti Bush, inspektorët e armëve të OKBs duhet pa përjashtim të lejohen që të inspektojnë në Irak çdo objekt, në çdo kohë, pa autorizime dhe pa vonesa. Duke ditur historinë e regjimit Irakut për vrasje dhe frikë, ai gjithashtu duhet të lejojë që dëshmitarët e veprimtarive të tij ilegale të merren në pyetje jashtë vendit dhe familjet e tyre të lejohen të largohen me ta.

Gjithashtu regjimi i Sadam Huseinit duhet ti japë fund mbështetjes së terrorizmit, përsekutimit të popullit irakian dhe këmbimit të paligjshëm të naftës për ushqime. Iraku gjithashtu duhet të lirojë ata që konsiderohen të humbur nga lufta e gjirit Persik, ose të japë informata rreth tyre, përfshirë një pilot amerikan fati i të cilit ende nuk dihet.

Presidenti Bush nuk ka urdhëruar përdorimin e forcës kundër regjimit irakian. Shtetet e Bashkuara shpresojnë se ky hap nuk do të jetë i nevojshëm. Por nga ana tjetër është e domosdoshme që ti kundërvihemi kërcënimit që vjen nga Iraku. Siç ka thënë presidenti Bush, ose regjimi irakian do të heqë dorë nga armët e shkatërrimit në masë, ose, për hir të paqes, Shtetet e Bashkaura do të drejtojnë një koalicion ndërkombëtar për ta çarmatosur atë regjim”.//ic//

XS
SM
MD
LG