Qendra e argëtimit Kuta në Bali, të Indonezisë, njihet nga turistët kudo në botë për harenë dhe bukurinë e saj. Por në mbrëmjen e 12 tetorit ajo u shndërrua në një skenë tragjedie dhe tmerri. Pak para mesnatës, një bombë e instaluar në një makinë çoi në një varg shpërthimesh dhe zjarresh që shkatërruan 20 ndërtesa, përfshirë klubin e famshëm Sari. Mbi 180 veta u vranë dhe rreth 300 të tjerë u plagosën.
Shumë ende konsiderohen të humbur. Viktimat ishin burra, gra dhe fëmijë nga mbi 12 vende të botës, si Indonezia, Japonia, Britania, Kanadaja, Danimarka, Koreja e Jugut, Ekuadori, Singapori, Gjermania, Suedia, Franca, Hollanda dhe Shtetet e Bashkuara. Të paktën 30 australianë janë konfirmuar të jenë vrarë, rreth 100 të plagosur dhe 140 nuk janë gjendur ende.
Shefi i policisë kombëtare të Indonezisë, gjenerali Da’i Bachtiar, e quajti shpërthimin si aktin më të rëndë terrorist në historinë e Indonezisë. Presidentja e Indonezisë, Megawati Sukarnoputri tha se shpërthimet duhet të shërbejnë si sinjal për ne të gjithë se terrorizmi përbën një rrezik real dhe një kërcënim potencial për sigurinë kombëtare.
Më 2 tetor, një ushtar amerikan dhe dy civilë filipinas u vranë në një shpërthim tjetër në Manila. Më 6 tetor, një anije cisternë franceze u sulmua në Jemen. Më 8 tetor, terrorsitë të al-Qaidës hapën zjarr kundër marinsave amerikanë në Kuvajt, duke vrarë një marins dhe duke plagosur një të dytë. Shpërthimet në Bali u kryen pikërisht 2 vjet mbas shpërthimit të anijes luftarake amerikane, Cole, në Jemen, nga e cila humbën jetën 17 marinarë amerikanë. Sulmi mendohet të jetë organizuar nga Riduan Isamuddhin, një anëtar kyç i grupit ekstremist islamik, Jemmah Islamiah, i cili ka lidhje të ngushta me al-Qaidën.
“Vrasjet që ndodhën në Bali, tha presidenti Bush, na kujtojnë të gjithëve se lufta kundër terrorizmit vazhdon. Ne që duam lirinë duhet të punojmë së bashku për të bërë ç’është e mundur që t’i ndalojmë dhe t’i sjellim para drejtësisë këta njerëz të pashpirt, të cilët urrejnë lirinë”.//ic//