Lidhje

Nuk egziston asnjë garanci për parandalimin e akteve të ardhshme terroriste - 2002-10-18


Pesë javë seancash, me dyer të hapura dhe të mbyllura, të komisionit të përbashkët hetimor të Senatit dhe të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit, nuk prodhuan asnjë provë se puna e dobët çoi në ngjarjet e 11 shtatorit, apo nuk arriti ti parandalonte ato. Por shqyrtimi i kësaj çështjeje nxori disa konkluzione të përgjithshme rreth mungesës së efektivitetit në mbledhjen e të dhënave nga agjencitë amerikane të zbulimit. Eleonor Hill është drejtoreshë e personelit e Komisionit të Përbashkët të Zbulimit.

“Ndërsa të dhëna të detajuara rreth sulmeve të 11 shtatorit nuk njiheshin që më parë, të dhëna të rëndësishme në lidhje me to diheshin që në verën e vitit 2001. Por agjencitë përkatëse nuk arritën të kuptonin rëndësinë e atyre të dhënave. Ndoshta për këtë arsye, agjencitë e zbulimit dhe ato federale nuk arritën ti shkëmbenin ato plotësisht, në mënyrën e duhur dhe me efektshmëri, tha zonja Hill.”

Duke tejkaluar kohën prej 10 minutash që kishte në dispozicion, drejtori i CIAs, George Tenet, mbrojti pothuajse për një orë përpjekjet kundër-terroriste të agjencisë së tij. Duke pranuar gabimet e bëra, ai tha, se agjencia nga ana tjetër ka arritur shumë suksese, shumë prej të cilave asnjëherë nuk i janë bërë të njohura publikut.

"Agjencitë amerikane të zbulimit nuk do të kishin qenë në atë nivel të lartë siç u paraqitën në konfliktin në Afganistan, dhe nuk do të përfshiheshin në operacione të niveleve të papara kudo në botë, nëse do të ishin të “paafta” sipas përcaktimit të disave. Është e rëndësishme, tha zoti Tenet, që populli amerikan ta dijë se pavarësisht nga sukseset e mëdha që kemi arritur gjatë vitit të kaluar, apo gjatë shumë viteve, al-qaida vazhdon të bëjë plane, dhe do të përpiqet të kryejë sulme akoma më vdekjeprurëse kundër nesh”.

Drejtori i FBI-së, Robert Muller, tha se agjencitë kanë ndërmarë hapa për të përmirësuar shkëmbimin e informacioneve me njëri-tjetrin, dhe janë riorganizuar për të përballuar kërcënimet e vazhdueshme terroriste. Por ai tha se veprimtaria e agjencive para sulmeve të 11 shtatorit duhet të analizohet duke e krahasuar me mënyrën se si Al-Qaida operoi.

"Jam i bindur se mënyra se si ata 19 individë erdhën në Shtetet e Bashakura, dhe përfituan nga liritë që ofron ky vend, dhe vepruan pa u diktuar, është e rëndësishme për ta kuptuar pse sulmet e ndërmara prej tyre ishin të suksesshme, tha zoti Mueller”.

Mbas seancës së fundit publike me pyetje përgjigje të mbajtur dje, komisioni i përbashkët i Kongresit do të përgatisë raportin përkatës. Republikani Richard Shelby tha se raporti do të pasqyrojë jo vetëm mësimet që kemi nxjerrë, por edhe përkushtimin e atyre që punojnë në agjencitë e zbulimit.

“Kemi zbuluar shumë raste kur agjencitë tona të zbulimit nuk kanë punuar ashtu siç pritet prej tyre. Gjithashtu kemi zbuluar edhe më shumë raste rreth amerikanëve të përkushtuar dhe të palodhur, që i kanë kryer detyrat e tyre me sukses dhe nder. Populli amerikan duhet të dijë që kjo e fundit është norma, dhe jo një përjashtim, tha zoti Shelby”.

Përveç raportit të komisionit të përbashkët, pritet që të krijohet një komision i pavarur për të hetuar sulmet terroriste të 11 shtatorit. Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi ende po negociojnë detajet mbi të.

XS
SM
MD
LG