Presidenti Bush tha se vendi duhet të përgatitet për të përballuar sulme të tjera të mundshme kundër amerikanëve. Në kuadër të paralajmërimeve për sulme të tjera si në Azi ashtu edhe në vend, presidenti Bush tha në një tubim në mbështetje të kandidatit republikanë të shtetit Missouri për në Senatin amerikan, se lufta globale kundër terrorizmit do zgjasë për vite me radhë. Megjithatë, ai u zotua se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë përpjekjet për eliminimin e terroristëve pavarësisht nga koha që do të nevojitet.
Presidenti Bush tha se autorët e shpërthimit të javës së kaluar në një klub në Indonezi janë “vrasës gjakftohtë,” siç u shpreh ai.
“Ky do të jetë një kërcënim i vërtetë për një farë kohe. Prandaj, mënyra më e mirë për të mbrojtur amerikën nuk është të shpresojmë se këta njerëz do të ndërrojnë mendje, nuk është të shpresojmë se psiko-terapia do t’ua ndryshojë mendimet, por t’i ndjekim një nga një dhe t’i sjellim para drejtësisë. Pikërisht këtë gjë do të bëjë Amerika,” tha presidenti.
Zoti Bush tha se rreth 3 mijë vetë janë kapur deri tani në luftën kundër terrorizmit që vazhdon prej një viti. Ai i bëri thirje Senatit të miratojë planin e tij për të krijuar një departament për sigurimin kombëtar në mënyrë që vendi të mbrohet më mirë nga kërcënime të tilla. //ad//