Lidhje

Komentet e Presidentit Bush mbi programin bërthamor të Koresë së Veriut - 2002-10-17


Sipas zëdhënësit Scott McClelan, presidenti Bush u shpreh se pohimi i Koresë së Veriut, është një lajm shqetësues dhe tepër serioz dhe se ai ka në plan të diskutojë në lidhje me këtë çështje në bisedimet e javës së ardhshme me presidentin kinez Gjang Xë Min.

Zoti McClelan u tha gazetarëve se presidenti dëshiron t’i gjendet një zgjidhje paqësore çështjes së programit të armëve bërthamore të Koresë së Veriut dhe se ai ka vendosur ta ngrejë këtë çështje nëpërmjet kanaleve private, diplomatike.

Presidenti nuk pritet ta përmendë Korenë e Veriut gjatë fushatës për kandidatët republikanë në shtetet jugore të Gjeorgjisë dhe Floridës.

Në fjalën e tij drejtuar vendit, presidenti Bush tha se Koreja e Veriut, Irani dhe Iraku janë pjesë të së ashtuquajturit ”bosht i së keqes”, që mund t’i ndihmojnë terroristët të sigurojnë armë të shkatërrimit në masë.

Zoti McCellan tha se ka dallim midis Koresë së veriut dhe Irakut, duke shtuar se ato ”janë rajone të ndryshme në rrethana të ndryshme”.

Zoti McCellan tha se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kërkojnë që Koreja e Veriut të veprojë në përputhje me marrëveshjet për mospërhapjen e armëve bërthamore dhe eliminimin e programit të armëve nëpërmjet verifikimit të tyre.

Sipas një marrëveshjeje të vitit 1994 me Shtetet e Bashkuara, Koreja e Veriut duhet tëhiqte dorë nga programi i saj i armëve bërthamore, në shkëmbim të uzinave bërthamore dhe ndihmave të tjera.

Pas një ndërprerjeje dy-vjeçare, Shtetet e Bashkuara dhe Koreja e Veriut rifilluan bisedimet e nivelit të lartë në fillim të këtij muaji. Zyrtarët amerikanë thonë se gjatë bisedimeve, zyrtarët e Koresë së Veriut pranuan ekzistencën e programit të tyre bërthamor, kur u ballafaquan me Nën-sekretarin amerikan të Shtetit James Kelly.

Pas largimit të zotit Kelly, zyrtarët koreanë u shprehën se ai u tregua ”despotik dhe arrogant”.

Ndërkohë, një radio shtetërore verikoreane e akuzon Washingtonin se ndjek një politikë armiqësore, që synon ta gjunjëzojë Korenë e Veriut, nëpërmjet fshehjes së të vërtetës për çështjen e programit të armëve bërthamore.//lk//

XS
SM
MD
LG