Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, ka autorizuar përdorimin e avionëve ushtarakë të vëzhgimit për të ndihmuar përpjekjet masive të policisë për gjetjen e snaiperit që ka terrorizuar zonën e Washingtonit.
Një zyrtar i Pentagonit tha se avioni do të dërgohet me mision mbi këtë zonë sa më shpejt që të jetë e mundur.
Në bordin e tij do të ketë agjentë të FBI-së, të cilët do t’ua përcjellin të dhënat zyrtarëve të rendit në terren.
Ndërkaq, njoftohet se policia po bazohet në të dhënat e dëshmitarëve të sulmit të së hënës, për të krijuar skicën e parë të personit të dyshuar si autor i sulmeve. Nëntë persona janë vrarë dhe dy janë plagosur nga sulmet e snaiperit që nga 2 tetori.