Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Ari Fleischer tha se presidenti Bush mezi po pret të takohet me zotin Sharon për të diskutuar çështjet themelore që kanë të bëjnë me paqen, siç shprehet presidenti.
Qëndrimi i zotit Bush për 2 shtete në Lindjen e Mesme parashikon krijimin e një shteti palestinez, që do të ekzistonte krah për krah Izraelit. Për ta bërë të mundur këtë, presidenti thotë që trupat izraelite duhet të tërhiqen nga zonat e kontrolluara nga palestinezët, palestinezët duhet të ndalojnë shpërthimet në autobuzë dhe duhet të reformojnë administratën e tyre duke zgjedhur udhëheqës të rinj dhe fqinjët arabë duhet të ndalojnë mbështetjen e dhunës.
Zëdhënësi Fleischer tha se të tre këto grupe duhet të mbajnë përgjegjësitë e tyre.
“Dhuna në rajon është pakësuar, megjithatë ka ende akte të shumta dhune. Prandaj presidenti dëshiron të sigurohet që rruga drejt reformave vazhdon. Në këtë rrugë ai shikon perspektivat më të mira për paqe në të ardhmen.”
Administrata e presidentit Bush kërkon që Izraeli të tërhiqet të paktën nga një prej 6 qyteteve të Bregut Perëndimor që mban nën kontroll që nga muaji qershor dhe të dorëzojë qindra miliona dollarë nga taksat e të ardhurave palestineze.//ze//