Presidentja e Indonezisë Megavati Sukarnoputri dhe anëtarët e tjerë të kabinetit të saj shkuan në ishullin turistik të Balit, ku, nga shpërthimi i një makine-bombë, u vranë mbi 180 vetë. Shpërthimi mendohet të ketë qënë një akt terrorist.
Dhjetra njerëz po i ndërpresin pushimet dhe po largohen nga Bali, pas shpërthimit të bombës të shtunën në mbrëmje në rrugën Legia, e preferuar për turistët, me bare dhe restorante të shumtë.
Bomba shpërtheu para klubit Sari, një nga lokalet e preferuara nga turistët e moshave të reja. Disa dëshmitarë thonë se pati dy shpërthime të njëpasnjëshme. 23-vjeçarja Ginni Brucki dhe shoqja e saj mbërritën në Bali të shtunën pasdite dhe të djelën u kthyen përsëri në aeroport në pritje që të kthehen në Australi.
“Bomba e parë që shpërtheu ishte më e vogël dhe pastaj erdhi e dyta, Dritaret dhe çatia e hotelit ku po qëndronim filluan të rrëzohen. Dritat ikën. Në rrugë shiheshin njerëz që vraponin dhe ulërinin. Gjithandej shihej zjarr. Në fillim nuk e kuptuam se ç’po ndodhte. Menduam se ishte ndonjë shpërthim gazi.”
Amerikani 25-vjeçar, Amos Libby, ishte njësoj i tronditur. Ai ka qënë në Bali prej 6 javësh dhe mendonte të qëndronte edhe për dy javë të tjera. Tani ndodhet në aeroport në pritje të largimit.
“Nuk kam parë gjë më të tmerrëshme. Ju gazetarët duhet t’i tregoni njerëzve se ç’ndodhi. Kaq shume të rinj 18 - 20 vjeçarë, trupat e të cilëve janë nëpër rrugë të copëtuar. E përse? Për asgjë. E kuptoj që ka njerëz të pakënaqur me qeverinë. Por të arrish deri këtu?”
Autoritetet indoneziane thonë se ky është akti më i rëndë terrorist në historinë e vendit të tyre. Shpërthimi ndodhi në plazhin Kuta, një plazh i frekuentuar nga turistë australianë, britanikë dhe nga vende të tjera perëndimore. Bomba shpërtheu në të njëjtën kohë me dy shpërthime të tjera më të vogla, njeri pranë konsullatës amerikane në Bali dhe tjetri pranë konsullatës së Filipineve në ishullin Sulauezi. Nga dy shpërthimet e tjera nuk pati dëme.
Në Bali, të gjitha ndërtesat në një rreze prej 300 metrash nga vendi i shpërthimit u shkatërruan. Rrugët përqark janë të mbushura me copa xhamash e njolla gjaku.
Deri tani asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë. //az//