Lidhje

Maqedoni: Abdurrahman Haliti tërhiqet nga Parlamenti - 2002-10-11


Kryetari i Partisë për Prosperitet Demokratik u tërhoq nga vendi i tij si deputet në parlamentin e ri të Maqedonisë. Partia e zotit Haliti, e cila ka qeverisur bashkë me Lidhjen Socialdemokrate, pasi Maqedonia fitoi pavarësinë nga ish-Jugosllavia, fitoi vetëm dy vende në parlamentin prej 120 deputetësh. Tërheqja e zotit Haliti pason atë të kryetarit të Partisë Demokratike Shqiptare, Arbër Xhaferri, partia e të cilit kaloi në opozitë.

PDSH e Arbër Xhaferrit ka 7 vende në parlamentin e ri, ndërsa PPD e Abdurrahman Halitit, ka vetëm 2. BDI e Ali Ahmetit ka 16 deputetë dhe do të jetë në qeveri në koalicion me LSDM-në të Branko Cërvenkovskit.

Shqiptarët kanë gjithsejt 26 vende në parlament ndërkohë që LSDM ka 60. Bisedimet për qeverinë e re të Maqedonisë pritet të përfundojnë deri të mërkurën e javës së ardhshme, kur kryeministri i ri Branko Cërvenkovski, t’ia paraqesë përbërjen e saj kryetarit të parlamentit, Nikolla Popovski.

Ndërkohë në një zhvillim tjetër, në Maqedoni ka filluar një fushatë në mjetet e informimit për parandalimin e trafikut të qenieve njerëzore. Fushata e cila po zhvillohet në të gjithë vendin, synon të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve për këtë problem, të ndihmojë viktimat dhe të zbatojë një program për riintegrimin e tyre në shoqëri.

Drejtuesit e Organizatës Ndërkombëtare për Migrim, IOM, në Shkup, thonë se ky problem duhet të bëhet publik edhe në komunat më të vogla. Motoja e fushatës kundër trafikut të qenieve njerëzore, është “Nuk e dinit? Qëniet njerëzore po trafikohen”. Fushata zhvillohet në dy gjuhët kryesore në vend, maqedonisht dhe shqip. //az//

XS
SM
MD
LG