Madonna luan rolin kryesor në filmin e ri Swept Away me regji të bashkëshortit të saj Guy Ritchie. Filmi është versioni i ri i komedisë romantike me të njëjtin titull xhiruar në vitin 1974. Projekti tjetër i Madonës është roli dytësor në James Bondin e ardhëshëm që do të shfaqet në nëntor.
Projekti i fundit i Michelle Pfeiffer - White Oleander regjistron ngjarjet në jetën e adoleshentes Astrid, që në film luhet nga aktorja e re Alison Lohman. Odisea e saj nëpër një numër shtëpi fëmijësh ndodh kur e ëma që luhet nga Michelle Pfiffer vihet nën pranga pasi helmon të dashurin e saj. E lënë në mëshirë të fatit, Astrid lufton për tu bërë e zonja e vetes dhe përballet me sdifat e të jetuarit vetëm. Regjisori Peter Kosminsky ka zgjedhur aktoret Renee Zellweger dhe Robin Wright Pen të cilat japin maksimumin edhe pse në role të vogla.
Walt Disney prezanton këtë javë filmin Tuck Everlasting. Historia e një adoleshenteje e cila ëndërron tu shpëtojë rregullave të forta të së ëmës dhe të fitojë lirinë e të qënurit e rritur. Filmi bashkon disa nga fituesit e çmimit më prestigjoz të Akademisë si Alexis Bledell, Ben Kingsley dhe Sissy Spacek.
Rules of Attraction është filmi tjetër i ri këtë javë për të cilin kritikët thonë se edhe pse trajton jetën e adoleshentëve nuk është i përshtatshëm për tu parë nga ta. Filmi trajton drogën, dekadencën dhe zgjidhjet e gabuara në jetën e adoleshentëve. The Rules of Attraction është një vështrim shokues i jetës në kolegjet amerikane dhe vetë aktorët i këshillojnë prindërit të mos i lejojnë fëmijët e tyre të blejnë bileta për këtë film.