Lidhje

Organizata të të drejtave të njeriut kritikojnë Greqinë - 2002-09-25


Në një raport të lëshuar të martën, organizata e të drejtave të njeriut ”Amnesty International” dhe Federata Nderkombëtare e Helsinkit kritikojnë shkeljet e të drejtave të njeriut në Greqi. Në raport theksohet se shumica e të keqtrajtuarve janë emigrantët, shpesh shqiptarë dhe romë.

Raporti akuzon policinë për fyerje racore, kërcënime seksuale, rrahje dhe përdorim të torturave me shok elektrik. Në raport thuhet se policia ka përdorur pa pasur nevojë armët e zjarrit në të paktën 7 raste që kanë qenë fatale. Ndër të keqtrajtuarit ka patur edhe fëmije, të dëmtuar rëndë dhe disa prej tyre janë shtruar edhe në spital. Pretendimet e të ndaluarve për keqtrajtime, shpesh mbështeten nga të dhënat mjekesore. Një pjesë e shkeljeve thuhet në raport, kryhen në kufi.

Në shkurt të vitit 2000, zyra e Avokatit të Popullit në Greqi i kritikoi dëbimet e detyruara të imigrantëve shqiptarë duke i quajtur ato të paligjshme dhe fyese. Në raport theksohet se megjithë shkeljet serioze të të drejtave të njeriut, zyrtarët grekë të rendit nuk janë vënë para përgjegjësisë.

Sipas të dhënave që ka siguruar Amnesty International dhe Federata Ndërkombetare e Helsinkit asnjë polic nuk është dënuar për keqtrajtime apo tortura nga periudha 1996-2000. Në periudhën 2000 - 2001 vetëm tre punonjës policie janë akuzuar, për shkelje, dy prej tyre u shpallën të pafajshëm dhe njëri u dënua 15 muaj me kusht. Raporti bazohet ne 66 raste shkeljesh prej të cilëve 17 janë shqiptarë, 15 romë, 10 greke, 24 imigrantë të tjerë.

Raporti u bën thirrje autoriteteve greke të marrin masa urgjente për t’u dhënë fund qendrimeve të tilla nga policia, si dhe të kompensohen viktimat. Po ashtu raporti i bon thirrje Bashkimit Evropian t’i kujtojë Greqisë detyrimet që ajo ka në fushën e të drejtave të njeriut. Vitin e ardhshëm Greqia do të mbajë presidencën e radhës të Bashkimit Evropian. //az

XS
SM
MD
LG