VOA: Zoti ambasador, cilat mendoni se janë sfidat me të cilat përballet aleanca në realitetin e ri botëror dhe si do të trajtohen ato në samitin që do të mbahet në Pragë së shpejti?
RH: Ajo që të bën përshtypje në kalimin nga vitet ’90 në këtë dekadë të re, është se NATO vërtetoi se nuk i ka ikur koha por mbetet shumë e rëndësishme për t’u përballur me sfidat e reja botërore, edhe brenda vetë Evropës për të përfunduar procesin e krijimit të një Evrope të bashkuar dhe të lirë dhe veçanërisht për tu siguruar që të gjitha zonat, gjithë vendet e Evropës Juglindore, Shqipëria, vendet e Ballkanit dhe vendet e tjera të ngjashme të integrohen plotësisht në botën demokratike perëndimore. NATO duhet të luajë rolin e saj në këtë drejtim. Ajo do të pranojë anëtarë të rinj në takimin e nivelit të lartë në nëntor. Do të përfundojë punën për krijimin e marrëdhënieve të reja me Rusinë. Ajo gjithashtu do të punojë për rritjen e aftësive ushtarake të të gjithë aleatëve në mënyrë që ata të vazhdojnë të punojnë së bashku, por çështja më e rëndësishme do të jetë sesi duhet të përballohen sfida si terrorizmi ndërkombëtar, si mund të përballohen sfida të tilla si rreziku i përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë, veçanërisht atyre bërthamore. Po ashtu Iraku është në qendër të vëmendjes. Është një kohë prove për NATO-n, Shtetet e Bashkuara, evropianët për të ndërtuar diçka me të vërtetë të rëndësishme për këtë shekull të ri.
VOA: Sekretari amerikan i Mbrojtjes, zoti Rumsfeld foli kohët e fundit për mundësinë e krijimit të disa njësive të reja anti-terrorizëm brenda NATO-s. Si mendoni se do të ndikonin këto njësi të reja në një rol të ri të NATO-s në botë?
RH: Ajo që do të bëhet dhe po bëhet aktualisht në punën kundër terrorizmit ndërkombëtar në NATO, u shtohet përgjegjësive të tjera që ajo vazhdon t’i ndjekë. Një propozim është krijimi i asaj që quhet Forca e Ndërhyrjes së Shpejtë, ku do të marrin pjesë rreth 25 mijë ushtarë nga vende të ndryshme, ndoshta të gjitha vendet e NATO-s, të stërvitur në drejtime të posaçme që mund të dërgohen në vende të ndryshme të botës, nëse vendoset, të lajmëruar në momentin e fundit. Është një mënyrë shumë e mirë për të angazhuar aleatët në përpjekjet e reja. Aleanca po lëviz gradualisht në drejtim të lindjes përsa i takon përgjegjësive të saj. Në vitin 1995 ajo ndërhyri me vendosmëri për të ndalur luftën në Bosnje. Në vitin 1999, veproi me vendosmëri për të shpëtuar jetët e shumë njerëzve në Kosovë dhe për të nxjerrë jashtë forcat serbe dhe më pas kjo çoi në rrëzimin nga pushteti të zotit Millosheviç. Shumë aleatë të NATO-s u angazhuan në Afganistan. Aleatët duhet të jenë të gatshëm të marrin vendime për të qenë në lartësinë e sfidave të reja.
VOA: Rusia ka tani një marrëdhënie të re me NATO-n dhe pikat e nxehta në glob aktualisht nuk janë më në Evropë, por jashtë saj dhe NATO ka vepruar përgjithësisht në Evropë. Si mendoni se do të përshtatet aleanca me këto ndryshime?
RH: Në radhë të parë, Shtetet e Bashkuara po marrin drejtimin në gjëra të tilla si armët e shkatërrimit në masë dhe anti-terrorizmi dhe po u kërkojnë një numri aleatësh të NATO-s të bashkohen me to. Ndoshta me kalimin e kohës NATO vetë do të marrë disa përgjegjësi, për shembull në rindërtimin e Afganistanit. Nëse ka një luftë kundër Irakut, NATO-ja mund të luajë një rol atje pas luftës, jo gjatë saj, ose, dhe besoj se kjo ka më shumë mundësi të ndodhë: kur (dhe e theksoj ”kur” dhe jo ”nëse”) të ketë një zgjidhje të krizës izraelito-palestineze. Ka shumë mundësi që atëherë të ngrihet një forcë paqeruajtëse e jashtme, domethënë Shtetet e Bashkuara, por unë shpresoj që edhe NATO të marrë pjesë. Kështuqë në përgjithësi, ndërsa ne shikojmë përtej Evropës në përpjekje për të përballuar rrezikun e terrorizmit dhe atë të armëve të shkatërrimit në masë, vendet e NATO-s dhe ndoshta edhe aleanca si një e tërë nuk do të rrinë mënjanë.