Më 23 shtator 1952 kandidati për nënpresident i republikanëve, Richard Nixon, doli në televizion për të mbrojtur veten kundër akuzave se ai kishte nxjerrë fitime nga një Fond Shpenzimesh të Fshehta. Lajmi për të ashtuquajturin Fond Sekret, dha shkas për thirrje që zoti Nixon të jepte dorëheqjen si kandidat për nënpresident i Partisë Republikane, i zgjedhur nga kandidati presidencial, Dwight Eisenhower. Zoti Nixon bleu kohë në televizion për të mbrojtur veten, duke deklaruar se fondi nuk ishte sekret apo i paligjshëm dhe se ishte përdorur vetëm për nevojat e fushatës. Gjenerali Eisenhower, i cili e ndoqi fjalimin në televizion, tha se Niksoni e kishte mbrojtur veten me sukses. Ai e mbajti Niksonin si kandidat për nënpresident. Dhe të dy ata fituan në zgjedhjet e nëntorit të vitit 1952 dhe më 1956 u zgjodhën përsëri për një mandat të dytë, si president dhe nënpresident.
Më 23 shtator të vitit 1806 eksploratorët Meriwether Lewis dhe William Clark, u kthyen në Saint Louis të shtetit Missouri. Ata të dy kishin udhëhequr një ekspeditë dyvjeçare në një territor të paeksploruar më parë, që shtrihej ndërmjet lumit Missouri dhe Oqeanit Paqësor. Presidenti Thomas Jefferson kishte urdhëruar që ekspedita të raportonte për ato që kishte zbuluar në shtrirjen prej më shumë se një milion e 300 mijë kilometrash katrore të Territorit të Louisianës, që Shtetet e Bashkuara kishin blerë prej Francës më 1803. Eksploratorët dhe një kompani ushtarësh që i shoqëronte, gjuetarët dhe udhërrëfyesi i tyre indian, vizatuan hartat e para të përpikta të atij rajoni shumë të madh perëndimor. Në hartat e mëparshme rajoni në perëndim të Lumit Missouri përshkruhej si Tokë e Panjohur. Ekspedita mblodhi mostra të jetës shtazore dhe bimore, si edhe të dhëna mbi amerikanët vendas të rajonit perëndimor. Ekspedita u dha zemër një numri gjithnjë e më të madh amerikanësh për të lëvizur në drejtim të Perëndimit drejt Oqeanit Paqësor.