Lidhje

Kalendari Historik 20 shtator - 2002-09-20


Më 20 shtator 1921 radiostacioni KDKA në Pittsburg të Pensilvanisë filloi atë që konsiderohet si buletini i parë i lajmeve të transmetuara sipas një programi të rregullt. Stacioni kishte vënë një mikrofon në redaksinë e gazetës lokale, ku çdo gjysmë ore, një folës lexonte lajme për 10 minuta. Këto njoftime përfshinin lajme lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare, përgatitur nga redaksia e gazetës dhe reporterët lokalë.

Më 20 shtator 1884, një grup përkrahësesh të së drejtës së gruas për të votuar, krijuan në San Francisko të Kalifornisë, Partinë e të Drejtave të Barabarta. Partia e re politike zgjodhi zonjën Belva Ann Lockwood, gruaja e parë juriste që ishte paraqitur para gjykatës së lartë, si kandidate për kryetare të partisë. Krijimit të Partisë së të Drejtave të Barabarta, i kishte paraprirë në vitin 1848, një takim grash që ishin në favor të së drejtës së grave për të votuar.Takimi u mbajt në Seneca Falls të shtetit të Nju Jorkut. Në atë takim, Elizabeth Candy Stanton dhe Lucretia Mott, kishin pohuar se gratë kishin të drejtë të votonin, çka në atë kohë kundërshtohej me forcë nga shumica e amerikanëve. Pas takimit të Nju Jorkut, më 1869 u formua Shoqata Kombëtare për të Drejtën e Votës të Grave, e kryesuar nga zonja Stanton dhe Susan Anthony, e cila bëri thirrje për një shtojcë kushtetuese, që t’u njihte grave të drejtën e votës. Por një kthesë konservatore në politikën amerikane nga fundi i shekullit të 19-të u bë shkak për një mohim të vazhdueshëm të së drejtës së grave për të votuar në Amerikë. Vetëm në vitin 1920, kur u miratua dhe mori formën e ligjit, Amendamenti i 19-të i Kushtetutës, gratë amerikane fituan të drejtën e votës.

XS
SM
MD
LG