Lidhje

Shqipëri-Jugosllavi, bisedime për tregëtinë e lirë - 2002-09-19


Shqipëria po nxiton të realizojë me shpejtësi detyrimet që i duhet të plotësojë për hapjen e bisedimeve me Bashkimin Europian, një prej të cilëve është edhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë me vendet e rajonit. E para marrëveshje e këtij lloji, zbatimi i së cilës ka nisur të zbatohet tashmë, është realizuar me Maqedoninë.

Ndërsa sot në Tiranë, qeveria shqiptare po zhvillon bisedimet përmbyllëse me Jugosllavinë. Ekipet negociatore të të dyja palëve po diskutojnë rreth detajeve të fundit. Ministria shqiptare e Ekonomisë njoftoi se po finalizon ofertat e saj për listën e produkteve që do të kenë liberalizim gradual të tarifave, listën e produketeve që do të përfaqësojnë koncesionet në produktet bujqësore, si dhe ato për të cilat do të ketë hapje të menjëhershm të tregut.

Marrëveshja me Jugosllavinë përveç aspektit ekonomik, ka edhe një ngarkesë të vecantë politike. Shqipëria ka deklaruar se kërkon të thellojë marëdhëniet me këtë shtet, duke dashur të kapërcejë paragjykimet dhe raportet e së kaluarës. Aktualisht mes dy vendeve edhe marrëdhëniet diplomatike janë ngritur në nivel ambasadorësh. Por Tirana gjithmonë ka theksuar se Kosova dhe çështja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës do të jetë në një farë mënyre barometri i marrëdhënieve dy palëshe.

Përvec Jugosllavisë, më 27 shtator do të nënshkruhet në Zagreb marrëveshja e tregtisë së lirë me Kroacinë, ndërsa në fund të muajit do të zhvillohen bisedimet në Sarajevë me Bosnjë-Hercegovinën, të cilat do të pasohen në muajin tetor me hapjen e negociatave me Bullgarinë dhe Rumaninë.

Sipas ministrisë shqiptare të Ekonomisë, marrëveshjet e tragtisë së lirë do të ndikojnë ndjeshëm në rritjen e flukseve tregtare me vendet e rajonit, duke përgatitur në këtë mënyrë edhe mjedisin shqiptar të prodhuesve dhe investitorëve për integrimin në tregje potenciale si ai i Bashkimit Evropian, nga njëra anë, dhe në rritjen e cilësisë dhe standarteve të produkteve shqiptare, nga ana tjetër. //az

XS
SM
MD
LG