Lidhje

Bruksel: Hapet konferenca për trafikun njerëzor - 2002-09-18


Në Bruksel u hap konferenca më e madhe deri tani për trafikun njerëzor. Rreth 1000 delegatët pjesmarrës po diskutojnë mbi rrugët për të luftuar tregtinë e grave dhe të fëmijëve si dhe mbi ndihmën juridike dhe financiare për viktimat. Një nga idetë që kanë hedhur delegatët është t’u japin viktimave strehim të përhershëm në vendet ku ndodhen nëse ato bien dakord të të bashkëpunojnë me autoritetet për arrestimin e personave që merren me trafikun njerëzor.

Trafiku i qenieve njerëzore nga Evropa Lindore për në vendet e Bashkimit Evropian dhe vende të tjera të treta, si Shtetet e Bashkuara, po bëhet një kërcënim në rritje, si nga përmasat ashtu edhe nga kompleksiteti.

Megjithëse është e pamundur të dihet numri i saktë i viktimave, Organizata Ndërkombëtare e Migrimit vlerëson se çdo vit rreth 500 mijë deri në 700 mijë gra dhe fëmijë bien viktimë e trafikut botëror nga ana e rrjeteve kriminale, duke krijuar një tregti globale skllevërish që sjell miliarda dollarë fitime të paligjëshme.

Shumë nga viktimat e këtij trafiku mashtrohen për sa i përket vendit se ku do të përfundojnë. Edhe ato që i dinë synimet e trafikantëve, shpesh bien pre e tyre duke menduar se nuk kanë çtë humbin për shkak të kushteve në të cilat jetojnë dhe për arësye se e kanë të pamundur të emigrojnë në mënyrë të ligjëshme.

Në shumë vende të Evropës Lindore, trafikantët përfitojnë nga mungesa e ligjeve dhe e sanksioneve, nga reagimi i dobët i autoriteteve dhe nga mungesa e vetëdijes tek njerëzit.

Këto janë çështjet për të cilat po diskutojnë të 1 mijë delegatët në konferencën e Brukselit, e organizuar nga organizata Ndërkombëtare e Migrimit dhe nga Parlamenti Evropian.

Konferenca do të përqendrohet në tre fusha kryesore: parandalimi i trafikut njerëzor, mbrojtja dhe ndihma për viktimat, bashkëpunimi me policinë dhe me gjykatat. Konferenca do të shqyrtojë prirjet e trafikut njerëzor në Bashkimin Evropian dhe do të përpiqet të hartojë politika të reja për tju përgjigjur një sfide e cila rrezikon të minojë vlerat themelore të Bashkimit Evropian si liria, siguria dhe drejtësia.

Delegatët po debatojnë mbi mënyrat për të marrë më shumë informacion nga viktimat, të cilat janë shpesh të vetmet që mund të ndihmojnë për ngritjen e akuzave kundër trafikantëve.

Anëtarja belge e Parlamentit Evropian Patsy Sorensen, mendon se në këtë drejtim mund të ndihmojë sistemi që zbatohet në Belgjikë, ku viktimave u jepen stimuj të fuqishëm që ato të bashkëpunojnë me autoritetet për gjetjen e kriminelëve.

Kryeministri belg Guy Verhofstadt thotë se një nga këta stimuj është tu jepet viktimave e drejta për banim të përhershëm, si shkëmbim ndaj informacionit që ato japin.

”Të drejtat e viktimës gjatë gjyqit duhet të zgjerohen ndjeshëm: atyre duhet tu jepet ndihmë juridike falas, ato duhet të dëshmojnë me videokonferencë në mënyrë që të mos përballen drejtpërdrejt me të akuzuarit. Por këto masa mund të kenë efekt kur të zbatohet një sistem i cili u jep viktimave që bashkëpunojnë, lejen për banim të përhershëm ose të përkohshëm”, thotë kryeminsitri belg.

Organizata Ndërkombëtare e Migrimit thotë se natyra komplekse e këtij problemi kërkon bashkëpunim politik dhe teknik në të gjitha nivelet dhe se mungesa e informacionit është pengesa kryesore për të zhdukur trafikun njerëzor.

Delegatët në konferencë do të kenë tri ditë për të gjetur rrugë më të efektëshme të luftës kundër trafikut njerëzor, detyrë kjo jo e lehtë në kushtet kur vendet e pasura të Evropës Perëndimore kanë një numër të pafund klientësh që janë të gatshëm të paguajnë shuma të majme për prostitutat, pavarësisht nga mosha e tyre.

Dhe një nga mënyrat për zbutjen e problemit është me sa duket krijimi i kushteve të sigurisë për viktimat që kanë rënë pre e tregtisë skllavëruese të qënieve njerëzore. Autoritetet shpresojnë se kjo do të çojë hap pas hapi në arrestimin e trafikantëve të tjerë.//kk

XS
SM
MD
LG