Lidhje

Bush: OKB të tregohet e vendosur për Irakun - 2002-09-14


Presidenti Bush thotë se nëse Kombet e Bashkuara nuk përballen me Irakun, këtë do ta bëjnë Shtetet e Bashkuara. Në një takim me kryeministrin italian, Silvio Berlusconi pranë Washingtonit sot, Presidenti Bush tha se Kombet e Bashkuara duhet, sipas fjalëve të tij të tregojnë vendosmëri dhe t’i kërkojnë Irakut që të pranojë inspektorët të kontrollojnë programet e Irakut për zhvillimin e armëve.

Zoti Berluskoni e përshëndeti faktin që Shtetet e Bashkuara e shtruan problemin e programit të armëve të Irakut në Kombet e Bashkuara, duke shtuar se organizmi botëror nuk mund të vazhdojë ta shohë imazhin e vet të rrezikuar.

Sot në selinë e Kombeve të Bashkuara, Ministri i Jashtëm i Irakut Naji Sabri përsëriti se kthimi i inspektorëve të armëve duhet të lidhet me heqjen e sanksioneve të Kombeve të Bashkuara.

Presidenti Bush thotë se bashkësia ndërkombëtare ka shansin të tregojë vendosmërinë për të përballuar një udhëheqës që ka sfiduar rezolutat e Kombeve të Bashkuara për një dekadë.

”Mjaft më. Kombet e Bashkuara ose do të jenë të afta të funksionojnë si një organizëm paqeruajtës, tani në fillim të shekullit 21, ose përndryshe nuk do të humbin rëndërsinë e tyre. Dhe ne këtë do ta kuptojmë së shpejti”, tha Presidenti Bush.

Presidenti i tha udhëheqësit italian se Shtetet e Bashkuara janë gati të veprojnë të vetme, nëse bashkësia ndërkombëtare nuk arrin të çarmatosë Irakun.

”As nuk duhet të dyshohet që nëse do na duhet ta përballojmë këtë problem, do ta përballojmë”, tha presidenti amerikan.

Pas takimit në rezidencën presidenciale në Camp David, Kryeministri Berlusconi tha se Kombet e Bashkuara nuk mund të vazhdojnë ta shohin imazhin e tyre të minohet dhe rezolutat e saj të shpërfillen.//kk

XS
SM
MD
LG