Lidhje

Bush: Iraku të pranojë inspektimet brenda ditësh ose javësh - 2002-09-13


Shtëpia e Bardhë thotë se kundërshtimi i Irakut për të lejuar kthimin pa kushte të inspektorëve ndërkombëtarë të armëve, provon se qeveria e Bagdadit ka diçka për të fshehur.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Ari Fleischer, e bëri sot këtë koment pak orë pasi zëvendëskryeministri irakian, Tarik Aziz, hodhi poshtë thirrjet ndërkombëtare në rritje për të lejuar kthimin pa kushte të ekspertëve të armëve.

Presidenti Bush thotë se po kërkon një rezolutë të Kombeve të Bashkuara që të përfshijë afate brenda të cilave Iraku t’u nënshtrohet inspektimeve për armët, apo përndryshe të përballet me ato që ai i ka quajtur pasoja ”të pashmangshme”.

Presidenti Bush tha sot se Washingtoni kërkon që Iraku të veprojë në përputhje me rezolutat e OKB-së brenda ditësh dhe javësh e jo muajsh apo vitesh.

Por presidenti tha se nuk ka besim se presidenti i Irakut, Saddam Hussein do të zbatojë rezolutat e Kombeve të Bashkuara, duke thënë se udhëheqësi irakian e ka shpërfillur opinionin botëror dhe e ka rrezikuar besueshmërinë e organizatës botërore prej 11 vjetësh.

Presidenti Bush i bëri këto komente ndërkohë që Sekretari i Shtetit, Colin Powell, po e kalon gjithë ditën dhe mbrëmjen duke zhvilluar një sërë takimesh të pazakonta dypalëshe dhe në grupe me homologë të tij, përfshirë ata nga vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit.

Zoti Powell i tha rrjetit televiziv CBS, ndërsa po fillonte takimet se administrata e presidentit Bush kërkon që Këshilli i Sigurimit të miratojë një rezolutë, ku të përfshihen afate për Irakun që të heqë dorë nga armët e shkatërrimit në masë ose të përballet me pasoja.

“Mendoj se do të caktohet një afat, sidoqoftë, tha zoti Powell, çfarëdo rezolute që të miratohet, unë do të këmbëngul për një afat. Nuk dua që të përcaktoj një dimesion kohor tani, pasi është diçka që do të diskutohet, debatohet dhe të miratohet nga unë dhe homolgët e mi në Këshillin e Sigurimit”, tha zoti Powell.

Sekretari Powell tha se gjatë takimeve do të paraqesë idetë amerikane mbi kursin e veprimeve dhe pret që gjatë fundjavës, homologët e tij të këshillohen me qeveritë e tyre. Zoti Powell tha se puna e filluar në këto takime do të vazhdojë javën tjetër, kur të fillojë puna serioze për një rezolutë të re mbi Irakun.//kk

XS
SM
MD
LG