Lidhje

Këshilli i Atlantikut: NATO-ja të përsosë aftësitë ushtarake - 2002-09-05


Vitet e fundit, NATO-ja ka luajtur rol të pazëvendësueshëm në vendosjen e paqes në pjesë të ndryshme të Ballkanit. Por sfidat për NATO-n nuk mbarojnë këtu.

Një regjim si ai i Irakut, apo konflikte si ai i Lindjes së Mesme, përbëjnë kërcënim si për Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe për vendet evropiane. Për këtë arsye, Këshilli i Atlantikut i Shteteve të Bashkuara e konsideron çështjen e aftësive ushtarake të NATO-s si më të rëndësishmen në programin e takimit të nivelit të lartë të aleancës që do të zhvillohet në nëntor në Pragë.

Në raportin e Këshillit të Aleancës, thuhet se mënyra sesi do ta trajtojnë çështjen e aftësive ushtarake aleatët këtë vit do të përcaktojnë rolin afatgjatë të NATO-s. Duke sjellë si shembull rastin e 11 shtatorit dhe veprimin e aleancës, pas sulmeve, gjeneral George Joulwan, ish-komandant suprem i NATO-s për Evropën dhe bashkëkryetar i grupit të punës për raportin vuri në dukje se për herë të parë në historinë e saj 52 vjeçare, NATO shpalli pikën 5, në luftën ndaj terrorit.

”Ato fjalë politike duhet të përkthehen në aftësi konkrete ushtarake, për t’i dhënë mundësi aleancës që të veprojë në një spektër të gjerë”, tha gjenerali Joulwan.

Robert Hunter, bashkëkryetari tjetër i grupit të punës që hartoi raportin ka qenë ambasador i Shteteve të Bashkuara në NATO dhe mendon se rreziqe aktuale në botë mund të prekin të gjitha vendet e aleancës.

”Miqtë tanë evropianë do të shikojnë me kalimin e kohës, se nuk janë të imunizuar nga paqëndrueshmëria në Lindjen e Mesme, kërcënimet dhe sfidat e paraqitura nga dikush si Saddam Hussein dhe shtimi i armëve të shkatërrimit në masë, të çdo lloji, ose edhe terrorizmi i drejtuar ndaj objektivave evropiane”, tha zoti Hunter.

Por si do të ndikojë nevoja e NATO-s për të përputhur aftësitë ushtarake brenda saj, tek vendet që duan të anëtarësohen në aleancë?

Në fund të fundit, nëse hendeku mes aftësive të Shteteve të Bashkuara dhe atyre të vendeve perëndimore është kaq i gjerë, mund të mendohet që vendet që synojnë anëtarësimin, kanë edhe më tepër probleme për të arritur këto standarde.

Duket se nevoja për përsosje në fushën ushtarake, nuk dëmton shpresat e vendeve që duan të anëtarësohen në NATO.

Ambasadori Hunter thotë se kur u krijua Partneriteti për Paqen në vitin 1994, ideja ishte jo që vendet e Evropës Qendrore do të ishin në gjendje të bënin të njëjtën gjë ushtarakisht, por që ata të ishin në drejtimin e duhur.

”Rëndësi ka vullneti, synimi dhe prova se po shkohet në drejtimin e duhur dhe shpresoj që të dhënat në këtë raport do të lexohen nga vende që duan të hyjnë në NATO, si gjërat që duhen patur parasysh kur të merren vendimet për buxhetin, sado e vogël të jetë shuma”, tha ai.

Ambasadori tha se rëndësi ka që këto vende të bëhen të afta të luftojnë në krah të NATO-s, qoftë edhe në nivel të ulët, siç është paqeruajtja, por shtoi se nuk kërkohet që të caktojnë shumën e duhur për buxhetin e ushtrisë brenda një nate.//kk

XS
SM
MD
LG