Lidhje

Powell: Intervistë me Zërin e Amerikës - 2002-09-05


Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, thotë se është bërë përparim i konsiderueshëm në luftën e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër terrorizmit, megjithëse vendndodhja e Osama Bin Ladenit mbetet e panjohur.

Në një intervistë me David Gollust të Zërit të Amerikës, në kuadrin e përvjetorit të parë të sulmeve terroriste të 11 shtatorit, zoti Powell shprehu bindjen se veprimet amerikane dhe ngjarjet që pasuan, e kanë ngushtuar hendekun mes Shteteve të Bashkuara dhe botës islamike.

Sekretari Powell ishte i vetmi nga anëtarët kryesorë të kabinetit të Presidentit Bush, që ndodhej jashtë Shteteve të Bashkuara, kur u kryen sulmet terroriste. Ai ishte në Lima të Perusë, ku po zhvillonte bisedime me ministrat e Jashtëm të Organizatës së Shteteve Amerikane.

Zoti Powell u kthye në Uashington duke sjellë me vete vendosmërinë e kësaj organizate në solidaritetin me Shtetet e Bashkuara, që përbën elementin e parë të një koalicioni të pashembullt ndërkombëtar kundër terrorizmit. Në një intervistë që dha në zyrën e tij në departamentin e Shtetit, zoti Powell tha se sulmet kundër Shteteve të Bashkuara shërbyn si alarm zgjimi për egërsinë që paraqet terrorizmi dhe e gjithë bota iu përgjegj këtij alarmi.

Kjo ishte një mbështetje e fortë për mua, për Presidentin, për popullin amerikan, se çdo kush në botë e kuptoi se sa i nevojshëm ishte për ne krijimi i këtij koalicioni për të ndjekur një armik të ri, një armik që nuk kërcënonte vetëm Shtetet e Bashkara por gjithë botën e qytetëruar, tha ai.

Zoti Powell paralajmëroi se asnjë angazhim i njëanshëm nuk mund të jetë garanci për fitoren e luftës kundër terrorizmit dhe se do të duhen shumë vjet përpjekje për ta çrrënjosur atë. Por ai u shpreh me optimizëm për arritjet e vitit të parë të luftës në Afganistan, ku al-Qaida është zhdukur dhe demokracia po hedh rrënjë.

Afganistani nuk është më një vend nga ku al-Qaida mund të kryejë operacione. Ne i thyem ata në Afganistan. Është e vërtetë që ka mbeturina të tyret nëpër botë. Për Osama bin Ladenin ne nuk dimë nëse është i gjallë apo i vdekur. Ne gjithashtu përmbysëm talebanët, një regjim që e strehonte al-Qaidën dhe vendosëm në Afganistan një formë më të mirë qeverisjeje, tha sekretari i shtetit.

Zoti Powell shprehu shqetësimin amerikan se disa vende dhuruese kanë vepruar ngadalë për të ndihmuar në rindërtimin e Afganistanit dhe Presidenti Bush u ka bërë thirrje qeverive të tyre që të jenë më aktive.

Në përgjigje të pyetjes për marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me botën myslimane, sekretari i Shtetit Powell tha se pati njerëz që i lavdëruan rrëmbysit, por “vlen për t’u shënuar” theksoi ai se pothuajse çdo qeveri myslimane i dënoi sulmet, duke thënë se ato nuk kishin të bënin aspak me islamin.

Ne po godasim kriminelët dhe terroristët që vrasin njerëz të pafajshëm. Ne nuk po sulmojmë asnjë fe. Islamizmi është fe e dashurisë, fe e pajtimit, fe e mirëkuptimit, tha zoti Powell.

Sekretari amerikan i Shtetit mbrojti përpjekjet e administratës së Presidentit Bush në Lindjen e Mesme. Ai tha se është tashmë e qartë se bota islame beson se Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë më shumë për të zgjidhur konfliktin izraelito-palestinez dhe tha se administrata po përpiqet të bëjë më shumë.

Presidenti Bush ka bërë thirrje për krijimin e shtetit palestienz, me emrin Palestinë. Në fjalimin e tij të 24 qershorit ai parashtroi planin që do të çonte në ekzsitencën e këtij shteti brenda tri vjetësh dhe në një marrëveshje kalimtare për këtë periudhë. Ai ka bërë thirrje gjithashtu që Izraeli t’i japë fund pushtimit dhe ndërtimit të vendbanimeve. Por nga ana tjetër ai ka bërë thirrje që palestinezët të braktisin “intifadën”, t’i japin fund dhunës dhe të mos mbështesin ata që ndjekin rrugën e veprimtarisë terroriste, tha zoti Powell.

Sekretari Powell theksoi rëndësinë e arritjes së një zgjidhjeje të konfliktit nëpërmjet të ashtuquajturit “Kuartet i Madridit”, që përfshin Shtetet e Bashkuara, Rusinë, Bashkimin Evropian dhe Kombet e Bashkuara, i cili u mblodh për herë të parë vitin e kaluar në Madrid dhe do të mblidhet përsëri më 17 shtator krahas Asamblesë së Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG