Lidhje

Vidiokasetat e Al-Qaidës ilustrojnë përgatitjen e terroristëve - 2002-09-04


Videokasetat e filmuara nga rrjeti Al-Qaida, i Osama bin Ladenit, ilustrojnë qartë se në çfarë shkalle kjo organizatë i stërvit terroristët kudo në botë.

Rrjeti televiziv amerikan, CNN, transmetoi pjesë nga të 64 video kasetat, përfshirë pjesë që transmetoheshin për herë të parë, të cilat ishin filmuar në kampet terroriste të stërvitjes në Afganistan. Këto kampe drejtoheshin nga Al-Qaida, nën kujdestarinë e ish sunduesve taleban të Afganistanit, të cilët u rrëzuan nga pushteti nga qëndresa afgane dhe koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Njëra prej video kasetave paraqet tre orë stërvitje për rekrutë specialë të al-Qaidës. Në të paraqitet një instruktor duke shpjeguar se si mund të prodhohet një bombë me fuqi të lartë shpërthyese, përfshirë fitilat dhe lëndët plasëse, me materiale që mund të gjenden lehtë. Stërvitje të këtij lloji padyshim që i kanë ndihmuar terroristët e Al-Qaidës të planifikojnë dhe kryejnë një numër sulmesh vdjekjeprurëse. Ndërmjet këtyre sulmeve ishin shpërthimi i kamionave në gusht të vitit 1998 pranë ambasadave amerikane në Kenia dhe Tanzani, ku humbën jetën rreth 220 civilë dhe u plagosën mbi 5 mijë të tjerë. Një sulm tjetër ishte ai i tetorit të vitit 2000 kundër anijes luftarake amerikane U-S-S Cole në Jemen, ku u vranë 17 marinarë amerikanë.

Videokasetat e tjera të Al-Qaidës, të disponuara nga rrjeti televiziv CNN, tregojnë qartë shtrirjen globale të rrjetit terrorist. Njëra prej tyre tregon luftëtarë arabë në Çeçeni duke i zënë pritë një kolone ushtarake ruse. Në një video kasetë tjetër tregohen luftëtarë në Eritrea duke shpallur luftën e shenjtë për të dëbuar tradhtarët jashtë vendit. Videokaseta të tjera të al-Qaidës paraqesin pamje të tilla të ngjashme nga Uzbekistani, Algjeria, Bosnja dhe vende të tjera.

Historia e veprimtarisë ndër-globale terroriste e al-Qaidës tregon se megjithëse ata e humbën bazën e tyre të sigurt në Afganistan vitin e kaluar, ky rrjet terrorist mund të jetë duke planifikuar sulme të reja. Ashtu siç ka thënë nën president Dick Cheney, terroristët, që më 11 shtator të vitit të kaluar vranë mijra njerëz në New York dhe Washington, janë mizorë, dinakë, dhe po punojnë për të shtënë në dorë armët më vdjekjeprurëse dhe padyshim ata dëshirojnë që të godasin përsëri.

Kundër armiqve të tillë, tha zoti Cheney, ”Amerika dhe bota e qytetërur kanë vetëm një mundësi: ti ndalojmë terroristët kudo ku ata veprojnë, tua shkatërrojmë planet dhe ti nxjerrim ata një nga një para drejtësisë.

XS
SM
MD
LG