Analisti dhe publicisti shqiptar në Maqedoni, Kim Mehmeti kritikoi sot në një intervistë për Zërin e Amerikës, qëndrimin e disa mediave shqiptare, në lidhje me fushatën e zgjedhjeve të 15 shtatorit.
Duke marrë shkas nga një raport i këshillit të radio-përhapjes, ku kritikohej televizioni shtetëror dhe shërbimi i tij në gjuhën shqipe, si edhe disa televizione të tjera për favorizim të Partisë Demokraktike shqiptare, në krahasim me partitë e tjera, zoti Mehmeti tha se gazetaria e disa shërbimeve shqiptare ”ende nuk ka dalë nga kthetrat e particizmit”. ”Pjesa dominante e gazetarisë maqedonase luan rolin e punëtorit politiko-shoqëror që mbron interesat shtetërore nga rreziku i trilluar shqiptar, ndërsa pjesa dominante e gazetarisë shqiptare nuk ka dalë ende nga paradhomat ku janë shërbëtorët e dëgjueshëm të partisë në pushtet”, tha zoti Mehmeti duke iu referuar Partisë së kryesuar nga zoti Arbër Xhaferri, që bën pjesë në qeveri. Ai shtoi se gazetaria maqedonase vuan nga shqiptarofobia, ndërsa ajo shqiptare ”për fat të keq mendon se interesat nacionale mbrohen nëse vihesh në shërbim të partisë që është në pushtet”. Sipas zotit Mehmeti këto dy gazetari nuk komunikojnë dhe ekzistojnë paralelisht.