Lidhje

Kinë: Keqtrajtim  psikiatrik i burgosurve politikë - 2002-09-02


Në një takim të mbajtur në Japoni, Shoqata Botërore e Psikiatërve, vendosi të dërgojë në Kinë një ekip për të bërë hetime lidhur me akuzat për keqtrajtim sistematik psikiatrik të të burgosurve politikë. Vendimi u mor pasi shoqata shqyrtoi dëshmi të paraqitura në një raport të ri të publikuar nga Human Rights Watch dhe Instituti Psikiatrik i Gjenevës.

Raporti bazohej kryesisht në dokumente zyrtare kineze, duke përfshirë tekste shkollore mbi psikiatrinë dhe revista mjekësore kineze. Raporti përshkruan një sistem, që me sa thuhet, nuk i kushton rëndësi mbylljes së pavullnetshme në spitale psikiatrike të disidentëve politikë dhe jokonformistëve, duke përfshirë edhe organizues të sindikatave, avokatë të demokracisë dhe ithtarë të grupit shpirtëror të ndaluar, Falun Gong.

Raporti i Human Rights Watch nuk është e vetmja dëshmi, që akuzon Kinën për keqtrajtim të disidentëve politikë. Në një raport të kohëve të fundit mbi të drejtat e njeriut në Kinë, Departamenti Amerikan i Shtetit vinte në dukje se “Ka shumë njoftime për persona, sidomos pasues të Falun Gongut, që janë mbyllur në spitale psikiatrike, për shkak se kanë shprehur pikëpamjet e tyre politike dhe fetare.”

Më 1991 Organizata e Kombeve të Bashkuara formuloi një kod të qartë etik që ndalon çdo lloj diagnostikimi të sëmundjeve mendore, që bëhet për shkak të pikëpamjeve politike dhe fetare. Po ashtu udhëzuesit e OKB-së shprehen qartë kundër dhënies së barnave mjekësore si një formë ndëshkimi.

Liria e mendimit, liria e besimit dhe liria fjalës nuk janë sëmundje, por të drejta themelore të njeriut që duhen respektuar.

XS
SM
MD
LG