Koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara po i çrrënjos Talebanët dhe al-Qaidën nga Afghanistani. Koalicioni po stërvit ushtrinë kombëtare afgane dhe po ndihmon qeverinë e re. Por aspekti ushtarak është vetëm njëra anë e përpjekjeve të koalicionit në Afganistan. Forcat amerikane dhe ato të koalicionit në disa raste japin ndihmë humanitare të drejt për drejtë ose ndihmojnë për të përmirësuar kushtet në terren në mënyrë që punonjësit e ndihmave të shpërndajnë artikujt e nevojshëm atje ku duhet. Siç u shpreh gjeneral Tommy Franks, “ajo që nuk vihet në dukje shumë është pikërisht përpjekja humanitare ndërkombëtare që nga fillimi e deri tani”. Më shumë se 300 organizata joqeveritare po japin ndihmë humanitare. Një numër i madh pusesh uji janë hapur në Afganistan. Është duke përfunduar një urë në rrugën që lidh Bagramin në veri me kryeqytetin Kabul. Kur kjo urë të përfundojë, Afganistani do të ketë një rrugë nëpërmjet të cilës do të bëjë tregti me Azinë qendrore. Më shumë se 30 shkolla janë tashmë rindërtuar. Djemtë dhe vajzat po arsimohen përsëri. Një numër i madh objektesh mjeksore janë hapur përsëri në Afganistan. Para tetorit të vitit 2001, 26 milionë banorë të Afganistanit nuk kishin shërbim shëndetësor. Në shumicën e rasteve, gratë nuk mund të vizitoheshin, sepse ato nuk lejoheshin të kuroheshin nga burrat dhe nën regjimin taleban, me përjashtime të ralla vetëm burrat ishin të lejuar të shërbenin si mjekë. E gjithë ajo atmosferë tashmë ka ndryshuar. Gjenerali Franks tha se “vendet anëtare të koalicionit drejtojnë tri spitale”. Koreanët po drejtojnë një prej tyre. Një tjetër administrohet nga jordanezët dhe atje janë mjekuar më shumë se 100 mijë vetë, shumica gra dhe fëmijë. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, ka thënë se “qëllimi ynë në Afganistan është ngritja e strukturave vetqeverisëse dhe mbështetja në burimet e brendëshme, në mënyrë që ky vend të mos bëhet kurrë më strehim për terroristët”. Gjendja atje, tha zoti Rumsfeld, nuk është “plotësisht e qetë”, por “gjendja e sigurisë në Afganistan është më e mirë nga sa ka qënë ndoshta për rreth 25 vjet”.//ic//