Sot në orët e para të mëngjesit, një shqiptar u qëllua me armë nga forcat kufitare maqedonase, duke u plagosur rëndë. Ai vdiq më pas, në një nga spitalet e Dibrës së Madhe, në Maqedoni.
Ngjarja ndodhi në kufirin verilindor të Shqipërisë me Maqedoninë, në piramidën kufitare 16-3 në zonën e Peshkopisë. Policia vendore e qarkut te Dibrës mundi ta identifikojë të vrarin, i cili sipas saj, është Baftiar Tafa, 38 vjeç, banor i një prej fshatrave të Peshkopisë.
Po këto burime bënë të ditur se sot paradite, forcat kufitare shqiptare përcaktuan edhe vendin e plagosjes, vetëm pak metra në brendësi të territorit të Maqedonisë.
Oficeri i gatshëm, në sallën operative të policisë së Peshkopisë, Tofik Marku, tha për Zërin e Amerikës, se ende nuk janë përcaktuar rrethanat e incidentit të sotëm që solli vrasjen e shtetasit shqiptar.
Sot në Peshkopi shkuan drejtues të drejtorisë së policisë kufitare shqiptare të cilët së bashku me drejtuesit e policise vendore po përpiqen të zbardhin rrethanat e ngjarjes.
Thuhet se pala shqiptare ka kërkuar me ngut një takim të ekspertëve të policive kufitare të të dy vendeve, por deri në orët e pasdites, policia maqedonase nuk kishte konfirmuar zhvillimin e këtij takimi, i cili do të sqaronte rrethanat e vrasjes.
Ngjarja ndodhi ndërkohë që ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, zoti Gert Ahrens, udhëtoi nga Kukësi në Peshkopi, në vazhdim të një sërë takimesh që ai po zhvillon në zyrat rajonale të OSBE-së në Shqipëri.
Që më parë ishte njoftuar se gjatë qëndrimit të tij në Peshkopi, ambasadori Ahrens do të zhvillojë edhe një takim me kolegun e tij shefin e pranisë së OSBE-së në Maqedoni.
Rreth dy muaj më parë, në kufirin e Shqipërisë me Maqedoninë u regjistrua një inicident tjetër i rëndë, kur 6 ushtarë të forcave kufitare maqedonase, hynë në brendësi të kufirit shqiptar, duke plagosur një banor vendas, i cili po kulloste bagëtitë.
Analistët shqiptarë i lidhin këto inicidente me qëndrimet e ashpra të palës maqedonase ndaj shqiptarëve, si dhe me afrimin e zgjedhjeve atje.