Lidhje

Angazhimi amerikan në Afganistan - 2002-08-21


Shtetet e Bashkuara dhe forcat e koalicionit po stërvisin trupat ushtarake afgane. Ata po shpërndajnë ndihma humanitare ose po ndihmojnë për të përmirësuar kushtet në terren në mënyrë që ndihmat të shpërndahen nga të tjerët. Siç ka thënë Sekretari amerikan i Mbrojtjes Donald Rumsfeld “Do të ishte një pohim i saktë po të thonim se gjendja e sigurisë në Afganistan është më e mirë se ka qenë ndoshta për afro një çerek shekulli.”

Sot, Afganistani ka një qeveri të përkohshme me një mandat nga Loya Jirga, këshilli kombëtar përfaqësues i Afganistanit. Afganistani nuk është më strehë e sigurt e terroristëve të al-Qaidës. Ky është një vend ku gratë mund të punojnë përsëri jashtë shtëpisë. Ky është një vend ku si vajzat ashtu edhe djemtë mund të shkojnë përsëri në shkollë. Po ashtu ekzekutimet në stadiumet e futbollit si dhe shumë taktika të tjera terrori që përdoreshin nga regjimi i mëparshëm taleban, kanë pushuar. Mbi një milion refugjatë afganë janë kthyer në shtëpi.

Një forcë ndërkombëtare sigurimi mbikqyr kushtet e sigurisë brenda dhe përreth kryeqytetit të Afganistanit, Kabul. “Problemi i vërtetë,” tha zoti Rumsfeld, “nuk është siguria, por sfida për të fuqizuar qeverinë e re qendrore dhe fakti se komuniteti ndërkombëtar ende nuk po ofron nivelin e duhur të ndihmës për presidentin Karzai dhe ekipin e tij.” Afganistanit iu premtuan pesë miliardë dollarë ndihma. Por, Sekretari i Mbrojtjes Rumsfeld tha se “paratë nuk janë sjellë aq shpejt sa ç’nevojiten. Shumat e dërguara ndihmojnë, por duhen shtuar.”

Siç vuri në dukje zoti Rumsfeld, krijimi i një qeverie të re nga fillimi në fund nuk është i lehtë. Në Afganistan ai theksoi se “ministrat nuk kanë një strukturë nën vete, në mënyrë që të drejtojnë vendin. Ata nuk kanë as buxhetin e nevojshëm për të drejtuar punët e qeverisë. Duhet kohë për të ngritur këtë infrastrukturë në mënyrë që ata të funksionojnë si një qeveri aktive, në dallim nga një qeveri që nuk ka gjë tjetër veç emrit.”

Shtetet e Bashkuara kanë besim se po bëhet përparim, megjithëse me ritme të ngadalta. Shtetet e Bashkuara kanë gjithashtu besim, siç ka thënë sekretari Rumsfeld, se Afganistani “do të arrijë vet-qeverisje efektive, e cila të mbështetet në burimet e veta dhe të mos shndërrohet më kurrë në strehë të sigurtë për terroristët.”

XS
SM
MD
LG