Lidhje

Kalendari Historik 21 gusht - 2002-08-21


Më 21 gusht 1944, përfaqësues të Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Kinës dhe Bashkimit Sovjetik u mblodhën në një konferencë për të shkruar një projekt-kartë për Organizatën e Kombeve të Bashkuara, e cila s ende nuk ishte themeluar. Delegacionet bënë takime të përbashkëta dhe të veçanta për 47 ditë në vilën historike Dumbarton Oaks në Washington. Duke i parandjerë politikat anti-komuniste të vendeve të tjera anëtare, Bashkimi Sovjetik ishte i vendosur të fitonte të drejtë vetoje në Këshillin e Ardhshëm të Sigurimit. Kjo pengesë ndaj arritjes së marrëveshjes nuk u zgjidh në Konferencën në Dumbarton Oaks. Megjithatë, në Konferencën e Jaltës, presidenti Roosevelt, kryeministri britanik Winston Churchill dhe udhëheqësi sovjetik Josif Stalin arritën një kompromis lidhur me të ardhmen e procedurave të votimit në Kombet e Bashkuara; më së fundi u vendos që Bashkimi Sovjetik të ketë të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit. Pjesëmarrësit u larguan nga Jalta me vendimin për të organizuar një konferencë ndërkombëtare që do të zhvillohej në San Francisco të Kalifornisë për të përpunuar hollësitë e materialit të përgatitur në Dumbarton Oaks, i cili do të shndërrohej në Kartën e Kombeve të Bashkuara.

Më 21 gusht 1959, presidenti Dwight D. Eisenhower nënshkroi një deklaratë, përmes së cilës ishujt Havai u shpallën si shteti i 50-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mendohet se udhëtarët polinezianë ishin kolonët e parë që u vendosën në Hawaii në shekullin tetë. Amerikanët e parë arritën në Havai në shekullin 18 për të shfrytëzuar drurin e vlefshëm të sandalit që gjendet në këtë ishull. Më pas në ishull filloi industria e sheqerit dhe mbërritën edhe misionerët amerikanë duke sjellë me vete ndryshime në kulturën e ishullit. Në vitin 1893, monarku i fundit i Havait u rrëzua nga posti, dhe një vit më vonë, republika e Havait u shpall nën Protektoratin e Shteteve të Bashkuara. Në vitin 1900 Havai u përfshi në territorin e Shteteve të Bashkuara, dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore baza detare e këtij ishulli, Pearl Harbor, u sulmua nga Japonia. Aktualisht Havai është një qendër e rëndësishme turistike.

XS
SM
MD
LG