Zyrtarë të lartë amerikanë dhe palestinezë zhvilluan bisedime në Washington, në takimin e parë të nivelit të lartë mes dy palëve, pas disa muajsh.
Sekretari amerikan i shtetit, Colin Powell që i cilësoi si të mira diskutimet e djeshme, thotë se Presidenti Bush është i vendosur ta çojë përpara procesin e paqes në Lindjen e Mesme.
Kryenegociatori palestinez Saeb Erekat thotë se delegacioni i tij i siguroi zyrtarët amerikanë se palestinezët janë të angazhuar për paqen dhe se ata duan të shohin një afat konkret për arritjen e një marrëveshje me Izraelin dhe për krijimin e një shteti palestinez.
Palestinezët u takuan gjithashtu edhe me Këshilltaren e Sigurisë Kombëtare, Condoleezza Rice. Ata do të takohen nesër me drejtorin e CIA-s, George Tenet.