Lidhje

Brazili - kampion bote për ... të pestën herë! - 2002-06-30


Ylli i futbollit, Ronaldo, kurorëzoi Brazilin ”Kampion i Botës” duke shënuar të dy golat e ndeshjes me Gjermaninë. Me rezultatin e pastër 2-0 të kësaj finaleje, Brazili vendos rekord duke u bërë i vetmi vend që e ka fituar Kupën e Botës pesë herë.

Ndeshja Brazil-Gjermani u luajt nën një shi të lehtë e të vazhdueshëm në Yokohama të Japonisë dhe u transmetua drejtpërdrejt për miliona sportdashës në mbarë botën.

Ronaldo shënoi dy herë në pjesën e dytë në minutat 67 dhe 79, pasi e kishte vënë në provë disa herë gjatë pjesës së parë portierin gjerman, Oliver Khan.

Por edhe portieri brazilian, Marcos, u dallua me ndërhyrjet e tij, ndërsa gjermanët, të njohur për mbrojtjen e tyre të fortë, krijuan një seri shansesh të përkryera shënimi.

Kjo finale ishte e treta rresht për Brazilin. Brazilianët e fituan kupën e Botës më 1994, por humbën në ndeshjen-finale të ’98-s me Francën.

Gjermania është tri herë kampione bote. Herën e fundit ajo e fitoi titullin më 1990.

XS
SM
MD
LG